PS shtyn votimin për pr/ligjin e PL për uljen e TVSH në 5% për ushqimet e shportës, Blushi: Ç’socialistë jeni ju që taksoni bukën e shqiptarëve më shtrenjtë se luksin?

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka deklaruar se opozita i dha sot mundësinë Kuvendit të tregojë nëse përfaqëson interesat e qytetarëve apo interesat e një pakice.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Blushi u shpreh se Parlamenti duhet të dëshmojë nëse është “Parlamenti i shqiptarëve” apo një institucion që përfaqëson, sipas tij, “interesa klienteliste dhe kriminale të një pakice që ka marrë peng shtetin dhe të ardhmen e shqiptarëve”. Blushi theksoi gjithashtu se propozimi për uljen e TVSH-së në 5% për ushqimet bazë është një masë lehtësuese për çdo qytetar, veçanërisht për familjet me të ardhura të ulëta.

Tedi Blushi: Grupi Parlamentar i Partisë së Lirisë i dha sot mundësinë këtij Parlamenti të dëshmonte nëse është Parlamenti i shqiptarëve apo është Parlamenti i një pakice që jo vetëm nuk përfaqëson vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, por përkundrazi, përfaqëson interesat klienteliste kriminale vetëm të një pakice që ka marrë peng sot të gjithë shtetin dhe për fat të keq të ardhmen e të gjithë shqiptarëve.

Ulja e TVSH-së në 5% për ushqimet bazë, o të marrë, është një masë lehtësuese për çdo shqiptar. Çfarë Partie Socialiste jeni ju? Çfarë shteti social është ky që taton bukën e gojës më shumë sesa luksin. Çfarë socialistësh jeni ju që tatoni kokrrën e vezës më shumë se verën e Edi Ramës?

Çfarë socialistësh jeni ju që tatoni miellin, vajin më shumë se kazinotë e oligarkëve tuaj. Çfarë socialistësh që tatoni djathin, gjalpin dhe të gjitha produktet bazë më shtrenjtë se sa jahtet e klientëve tuaj. Që tatoni qumështin e fëmijëve më shtrenjtë se verën e Edi Ramës.

Po çfarë socialistësh jeni ju? Jeni jo Diella, se edhe Diella e ka një fytyrë, po jeni hije dhe në qoftë se trembeni nga molotovët, po ju paralajmëroj trembjuni urrejtjes së të varfërve që do trokasin dhe në derën tuaj


Shtuar 12.02.2026 19:19

Tags: ,