PS rrëzoi kërkesën e SPAK për arrestimin e Ballukut, reagon Ambasada gjermane: Goditja e korrupsionit në rangun e lartë, kusht për integrimin, ndjekja penale të realizohet shpejt dhe pa pengesa

Këtë të enjte 12 mars 2026, maxhoranca rrëzoi me votat e saj kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Pas rrëzimit te kërkesës, ambasada gjermane në Tiranë, ka lëshuar një paralajmërim se lëvizje të tilla mund të pengojnë seriozisht integrimin në BE.

Në një reagim zyrtar, ambasada thekson se kusht kryesor për rrugën evropiane është goditja e korrupsionit edhe në nivele të larta.

Ambasada thotë se presin që në raste të tilla, ndjekja penale të vijojë shpejt dhe pa pengesa, referuar lëvizjes së socialistëve.

“Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces”, thekson ambasada.

REAGIMI I PLOTË I AMBASADËS

Lidhur me vendimin e sotëm të Parlamentit shqiptar rreth heqjes së imunitetit Ambasada Gjermane deklaron:

Gjermania mbështet procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian në përputhje me dëshirën e shqiptarëve.

Kusht i domosdoshëm për të bërë progres në këtë proces të bazuar në merita është ndjekja penale me efektivitet e korrupsionit edhe në raste të rangut të lartë. Pritshmëria jonë e qartë është që edhe në këto raste ndjekja penale përmes drejtësisë të mund të realizohet shpejt dhe pa pengesa. Prej politikës shqiptare vazhdon të kërkohet ende që ta garantojë këtë proces.

 

 

RRËZIMI I KËRKESËS NË KUVEND PËR HEQJEN E IMUNITETIT TË BALLUKUT

Maxhoranca rrëzoi me forcën e kartonit kërkesën e kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe hapjen e rrugës për arrestimin e saj. 82 votuan pro rrëzimit të kërkesës, 47 vota të opozitës ishin kundër rrëzimit të kërkesës së Prokurorisë. Ajo që u vu re është fakti se në votim mungonin dy deputetë të PS, Elisa Spiropali dhe Fatmir Xhafaj.