PS nuk “lëshoi” Ballukun/ Rama: Kërkesa e SPAK nuk i përmbushte as kushtet minimale për t’u marrë në konsideratë, prokuroria s’ka ngritur akuzën për korrupsion

Këtë të premte, në një konferencë më gazetarët, kryeministri Edi Rama, komentoi vendimin e Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut.

Sipas kreut të qeverisë, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme nuk përmbushte asnjë kusht minimal që të merrej në konsideratë.

Gjithashtu, Rama deklaroi se përpjekjet për ta lidhur refuzimin e kësaj kërkese me motive të tjera politike apo institucionale janë të pabazuara.

“Do ta nis nga vendimi i djeshëm i parlamentit, për jehonën tërësisht të deformuar që iu dha atij vendimi. Ju me siguri e keni ndjekur vetë të gjithë rrjedhën e ditës. Keni ndjekur edhe prononcimin tim, që dua ta përsëris, lidhet me të vërtetën e madhe që kërkesa e SPAK nuk i përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë. Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër, apo për ti dhënë përmasën e ndonjë fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do pengojë zbatimin e reformës në drejtësi, apo do pengojë drejtësinë është një përpjekje e shëmtuar”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se interpretime se po bllokohet integrimi janë pjesë e një narrative që synon, ku sipas tij, të frenojë përparimin e vendit në procesin e negociatave me Bashkimi Evropian.

“Në dëshpërimin e vet ka të gjitha ato ingredientë që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet dhe që hapat e shpejtë me të cilat ne po ecim në procesin e negociatave të frenohen. Nuk ka asgjë të re në këtë, por materiali në këtë rast është i favorshëm për të torrollisur njerëzit dhe për të fryrë daullen e luftës kundër qeverisë dhe kundër kësaj shumice. Dua ti siguroj që nuk ka asnjë frenim drejt rrugës për anëtarësim në BE, nuk ka asnjë diskutim lidhur me vullnetin tonë për të vazhduar në rrugën që ne kemi hapur në pavarësimin e drejtësisë dhe rrugën lundër korrupsionit dhe në këtë rast nuk jemi përballë një çështje korrupsioni, sepse vetë prokuroria nuk ka ngritur një akuzë për korrupsion”, u shpreh kryeministri Rama.


Shtuar 13.03.2026 12:52