Komisionerja për Zgjerim e BE-së, Marta Kos, ka komentuar për herë të parë çështjen e Belinda Ballukut, ish-zëvendës kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, për të cilën PS nuk lejoi heqjen e imunitetit.
E pyetur mbi situatën aktuale, përfshirë hetimet e SPAK dhe rastet që lidhen me ish-zyrtarë të lartë, Kos u shpreh se:
“Janë disa çështje, ju përmendët rastin e çështjes Balluku, të cilat ne po i monitorojmë me vëmendje. Siç e dini SPAK po bën një punë të shkëlqyer në Shqipëri dhe në fakt është normale që ata të hetojnë apo të gjejnë shkelje. Një tjetër element për ne është edhe fakti se përpos çështjeve nën hetim, të rëndësishme janë dhe reagimet. Ne po monitorojmë edhe ato”, tha Kos.
Kos theksoi se institucionet evropiane po monitorojnë nga afër zhvillimet, duke përfshirë edhe rastet konkrete që janë në hetim, ndërsa nënvizoi se më e rëndësishme është mënyra se si autoritetet reagojnë ndaj tyre.
Ajo shtoi se sfida kryesore për vendet kandidate mbetet jo vetëm krijimi i një kuadri të fortë ligjor, por edhe ndryshimi i perceptimit shoqëror ndaj korrupsionit.
“Mund të kesh legjislacionin më të mirë kundër korrupsionit, por nëse ai pranohet nga shoqëria, atëherë kemi një problem tjetër”, theksoi Kos.
