Nesër parlamenti do të rifillojë punën pas zgjedhjeve të 11 Majit. Partia Socialiste para seancës plenare do të zhvillojë një mbledhje të grupit parlamentar.
Mesazhin deputetëve socialistë ua ka dërguar kreu i grupit parlamentar, Niko Peleshi, i cili ndër të tjera u bëri thirrje se pjesëmarrja është e domosdoshme.
“Paraprakisht, në 11:30 do të zhvillojmë mbledhjen e Grupit Parlamentar, po aty, në sallën e seancave plenare. Diskutojmë mbarëvajtjen e veprimtarisë parlamentare në komisione dhe seanca përgjatë javëve në vazhdim. Pjesëmarrja është e domosdoshme”, shkruhej në mesazhin e Peleshit.
Më herët, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, u dërgoi një mesazh deputetëve të tij se do të marrin pjesë në seancën që do të zhvillohet nesër. Në fokus të tyre do të jetë paraqitja e fakteve për atë që e konsiderojnë si farsë elektorale më 11 Maj.
Dhe duket se çështja e zgjedhjeve do të jetë tema e debatit mes palëve nesër. Opozita akuzon mazhorancën për farsë elektorale ndërsa ka kërkuar qeveri teknike dhe zgjedhje të reja.
Nga ana tjetër, PS-ja ka festuar fitoren e 11 Majiy, nga votimet e së cilës mori 83 deputetë. Megjithatë nesër nuk do të jenë deputetët e rinj në karriget e Kuvendit, por ata të kësaj legjislature, e cila zyrtarisht do të mbyllet më 8 Korrik.
Mes tyre ka edhe deputetë që nuk do të jenë pjesë e legjislaturës së ardhshme, prandaj mbetet interesante të shihen qëndrimet nesër.