“Aleancë vetëm me qytetarët”, duket se nuk do të jetë më motoja e socialistëve për zgjedhjet e 14 Majit. Sekretari i Përgjithshëm Damian Gjiknuri, në një intervistë për Klan News nuk e mohon mundësinë e një koalicioni, ndonëse thekson se është ende herët për një vendimmarrje të tillë.
“Ne patjetër kemi partnerë shumë grupime shoqërore, shoqata që kanë ndjerë mirëqeverisjen e PS, në nivele lokale do të shohim për të organizuar një pjesë të faktorëve, akoma nuk kemi marrë një vendim për koalicionin, do ta diskutojmë këtë çështje. Jam i bindur që ne do të kemi mbështetjen më të madhe të të gjitha grupimeve që duan mirëqeverisjen e këtij vendi. Çdo gjë është opsion, çdo gjë është e mundur. Le t’ia lëmë procesit në kohën e duhur”.
Gjiknuri tregon një bilanc të bashkive që mund të fitojë Partia Socialiste.
“Unë mendoj se Partia Socialiste do të fitojë pjesën më të madhe të bashkive. Mbi 40 bashki Partia Socialiste dhe të tjerat mund të jenë në diskutim”.
Teksa demokratët do t’i zgjedhin kandidatët nëpërmjet primareve, PS nuk pritet të ketë ndryshime në mënyrën e përzgjedhjes së tyre.
“Nuk është në dorë të kryeministrit Rama, madje të them të drejtën përtej asaj që gjykojnë njerëzit, kryeministri Rama nuk para ndërhyn as në listat e deputetëve, me përjashtime të veçanta kur bëhet fjalë për figura të nivelit kombëtar. Përgjithësisht, është procesi i deleguar në nivel drejtues qarqesh dhe struktura të PS nga poshtë, bazuar në vullnetin e anëtarësisë së partisë”.
Gjiknuri ka një përgjigje edhe për Sali Berishën i cili pretendon se socialistët kanë nisur procesin e manipulimit të zgjedhjeve.
“Është këngë e vjetër, e dëgjuar shpesh nga opozita shqiptare, nuk përbën më risi për qytetarët. Është përgatitja e humbjes dhe justifikimi i humbjes”.
Në Klan News, Gjiknuri sqaron pse abstenoi amendimin për hapjen e dosjeve, në seancën e fundit plenare.
“Ka pasur një abstenim për një amendim që u bë në seancë për të cilin nuk isha në dijeni. Unë nuk jam për hapje absolute të dosjeve, unë jam që hapja e dosjeve të lidhet me të dhëna të veçanta, ashtu dhe siç është rregulluar”.
Sa i përket Reformës Zgjedhore e cila ka ecur me ritme të ngadalta, Gjiknuri thotë se puna e këtij komisioni do të shtrihet në dy faza, për të adresuar disa gjëra më themelore, para zgjedhjeve vendore.