Teksa seanca për dosjen “5D” vijon në Gjykatën e Posaçme, ligjvënësi demokrat është pyetur nga mbrojtja e të akuzuarve në seancën e thirrjes së dëshmitarëve.
Sipas raportimeve, ka qenë avokati i Redi Mollës, një prej ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, i cili ndodhet nën akuzë nga SPAK, ka pyetur deputetin e PD, Belind Këlliçi mbi detyrën që mbante kur ka bërë denoncimin, lidhur me aferën korruptive “5D” në Bashkinë e Tianës.
Në kundërpërgjigje, Këlliçi ka deklaruar se asokohe ka qenë kandidat zyrtar i PD për zgjedhjet lokale në kryeqytet, ndërsa kallëzimin në SPAK e ka depozituar në cilësinë e ligjvënësit, ende pa nisur garën zgjedhore për Tiranën.
Ndërkohë, nuk kanë munguar as provokimet në sallë nga ana e avokatit të Redi Mollës ndaj Këlliçit, ku ëhstë dashur ndërhyrja e gjyqtares relatore, Flora Hajradinaj për t’i tërhequr vërjetje.
Pyetjet gjatë dëshmisë:
Denion Bogdani, avokat i Redi Mollës: Çfarë detyre mbanit kur erdhi denoncimi anonim?
Këlliçi: Kandidat zyrtar i PD për zgjedhjet lokale për Tiranën. Kur kam bërë kallëzimin kam qenë deputet në dy javët e fundit të mandatit. Informacionin anonim ia kam bashkangjitur kallëzimit.
Deklaratave të mia publike u qëndroj të gjithave ditën që kam depozituar kallëzimin unë e quaj kapitull të mbyllur. Duke iu referuar në vijim daljes në media të të dhënave hetimore, nuk kam bërë kallëzim tjetër, por kam mbajtur qëndrimet e mia.
Denion Bogdani, avokat i Redi Mollës: Kujt i hyjnë në xhep kallëzimet e Belind Këlliçit?!
Relatorja Flora Hajredinaj: Kujdes me qëndrimet avokat, se me sa duket dikujt i paska hyrë në xhep!
Denion Bogdani: Keni ndërmend të kandidoni për Bashkinë e Tiranës se është në burg Redi Molla nuk t’i vjedh më dot zgjedhjet…
Pas këtij debati, është dashur sërish ndërhyrja e Gjykatës e cila dënoi me 20 mijë lekë avokatin e Redi Mollës, për shkaktimin e situatave që thyejnë solemnitetin e gjykatës, ndërsa e ka paralajmëruar se do ta nxjerrë nga seanca nëse vijon me provokimet.