Protestuesit hodhën molotovë drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit, shoqërohen në polici 25 persona

Të paktën 25 protestues janë shoqëruar në polici për hedhjen e molotovëve drejt Kryeministrisë dhe Kuvendit gjatë protestës kombëtare të opozitës.

Tubimi u shoqërua me tensione teksa policia hodhi gaz lotsjellës dhe ujë drejt protestuesve, pasi këta të fundit hodhën molotovë dhe fishekzjarrë drejt godinës së Kryeministrisë dhe më pas Kuvendit.

Ministrja e Brendshme, Albana Koçoi theksoi se dënon inkurajimin që sipas saj po iu bëjnë eksponentët e opozitës protestuesve për të bërë akte dhune. Ndërsa kryedemokrati Sali Berisha akuzoi se po dërgojnë në polici qytetarë të pafajshëm pa asnjë lidhje me protestën.

Më herët, gjatë fjalës së tij para kryeministrisë, Sali Berisha theksoi se kryeministri Edi Rama dhe zv kryeministrja e pezulluar Belinda Balluku nuk do të gjejnë vrimë miu ku të futen por do të bëjnë çfarë është e mundur për t’i vënë ata para forcës së ligjit.

Opozita zhvilloi protestën e katërt kombëtare, ku kërkon dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe Belinda Ballukut, pas skandaleve që kanë përfshirë këtë të fundit, dhe pas vënies nën akuzë nga SPAK për abuzime me tenderat. Po ashtu opozita ka denoncuar edhe përpjekjen e kryeministrit Rama për të bërë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, me qëllim për të frenuar gjykatën për të pezulluar kabinetin qeveritar.


Shtuar 20.02.2026 22:14