Kreu i Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në një prononcim për Panorama Online është shprehur se mbështetësit e tij para kryeministrisë janë larguar me forcë nga ana e Policisë së Shtetit.
Sipas tij, ndërhyrja e efektivëve është e katërta brenda shtatë ditëve të protestës, e cila, sipas tyre, ka qenë paqësore.
“Policia e Shtetit, për herë të katërt në këto shtatë ditë, është sulur dhunshëm në një protestë që ka qenë nga më paqësoret, më me mesazh në të gjithë tranzicionin shqiptar”, tha ai.
Lapaj pretendon se janë penguar të vendosin çadra, gjeneratorë dhe mjete të tjera minimale për qëndrimin në shesh, ndërsa sot janë përzënë me argumentin se do vijnë të tjerë të protestojnë.
“Sot kanë ardhur me pretendimin se duhet të ikni për perimetrin e sigurisë pasi do vijë dikush tjetër do protestojë, kjo nuk funksionon kështu. Në një shtet demokratik kushdo ka të drejtën e tij për të protestuar pa iu cenuar dikujt tjetër”, tha ai.
Adritaik Lapaj për Panorama Online: Jemi në shesh, është dita e 7-të dhe sot sërish Policia e Shtetit, për herë të katërt në këto shtatë ditë, është sulur dhunshëm në një protestë që ka qenë nga më paqësoret, më me mesazh në të gjithë tranzicionin shqiptar.
Sot kanë ardhur me argumentin se pasi nuk na lanë për çadrat, që të vendosim çadra se është ftohtë, pasi nuk na lanë gjeneratorin sepse na duhet energji elektrike pasi Bashkia Tiranë nuk na e sjellë edhe pse kemi bërë kërkesë.
Sot kanë ardhur me pretendimin se duhet të ikni për perimetrin e sigurisë pasi do vijë dikush tjetër do protestojë, kjo nuk funksionon kështu. Në një shtet demokratik kushdo ka të drejtën e tij për të protestuar pa iu cenuar dikujt tjetër.
Te kjo protestë sot lejohet gjeneratori, ndërkohë tek ne jo. Tek ne është protesta e qytetit sepse ai, EdI Rama, regjisori i çdo të keqeje në këtë vend, e ka parim të tijin “përça dhe sundo”. Ai do gjithmonë të ketë konflikt me ata përballë për të ruajtur pushtetin e tij, të hajdutërisë, të makutërisë, të babëzisë.
I bëj thirrje çdo qytetari në orën 6 çdo ditë të na bashkohet, kushdo të rrijë të qëndroj 24 orë, një karrige në dorë, të vijë bashke më mua aty, ta shtojmë këtë vatër kundër regjimit autokratik të Edi Ramës.

