Protestë në Shkup për ish-krerët e UÇK që mbahen në Hagë/ Azgan Haklaj: Askush s’mund ta perëndojë diellin e Ushtrisë Çlirimtare, drejtësi për ta

Pas Prishtinës e Tiranës, këtë të shtunë në Shkup, u mbajt protesta e radhës për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen në gjykatën e Hagës për krime lufte.

Mijëra protestues u mblodhën për më shumë se një orë në sheshin “Skënderbeu” në kryeqytetin maqedonas, duke kërkuar drejtësi për 4 ish anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare që luftuan kundër serbëve.

“Çlirimtarët duhet të nderohen, jo gjykohen”, ishte një nga pankartat e mëdha që “mbuluan” sheshin që mban emrin e heroit kombëtar shqiptar.

Të pranishëm ishin edhe figura politike shqiptare në RMV, por edhe nga Kosova.

Ish-deputeti demokrat Azgan Haklaj, teksa mori fjalën e tij, theksoi se dielli i UÇK-së nuk mund të perëndojë, duke shtuar se duhet të vendoset drejtësi për ata që mbahen në Hagë.

“Të dashur bashkëkombës, të dashura motra dhe vëllezër, bij dhe bija të një historie, të një gjuhe, të një gjaku, të një qëndrese. Një rilindas i madh thoshte se me shkronja bëhet alfabeti dhe me alfabet shkruhet kombi. Po të mos ishte alfabeti shqip, ne do të shuheshim. Ky është i paprekshëm dhe tri shkronjat më të arta të alfabetit shqip janë UÇK. Respekt dhe mirënjohje për të gjithë ata burra e gra, që dhanë jetën për lirinë e kombit.

Kur bie burri dhe perëndon dielli, mbyllet dera dhe ashtu u duk pas arrestimit në Hagë. Asgjë nuk mund ta perëndojë diellin e UÇK, është fotosinteza e kombit shqiptar. Ndaj të gjitha rrugët e trojeve etnike të sjellin këtu në Shkup së bashku me ne shpata e Gjergj Kastriotit, lutja e Nënë Terezës, pushka liberatorë e Adem Jasharit. Askush nuk mund të njollosë UÇK e lavdishme. Drejtësi për çlirimtarët”, tha ai para protestuesve.

Kryetari i OVL-UÇK, Hysni Gucati, u shpreh se UÇK nuk ka qenë kurrë kriminale, por një forcë çlirimtare që mbrojti kombin dhe qytetarët e saj.

“UÇK ka qenë një ushtri çlirimtare që mbrojti kombin e vet dhe qytetarët e saj. Ne jemi këtu për të ngritur zërin, siç e bëjmë në çdo protestë, duke bashkuar shqiptarët siç bëri edhe Skënderbeu në kohët më të vështira. Kjo gjykatë është formuar nga një individ i çmendur, i cili në vitin 2011 ngriti një rezolutë në Parlamentin dhe Këshillin e Evropës, duke pretenduar se UÇK ka kryer krime. Por ne jemi këtu për të treguar se e vërteta është ndryshe”, tha Gucati.

E pranishme në protestë ishte edhe vajza e Nuri Mazarit, ish ushtarit të UÇK, i njohur edhe si “Komandanti Struga”. Shqipdona Mazari tha se UÇK-ja ishte përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen.

“Çdo fytyrë këtu është gurthemel i lirisë sonë. Unë si bij dëshmori qëndrojë para jush me një emocion, ndjenjë përgjegjësi dhe plagë e pashërueshme. Emocioni im është simfoni krenarie. UÇK-ja është përgjigja e një populli që nuk e pranoi kurrë zhdukjen dhe ata që e udhëhoqën nuk ishin kurrë kriminel”, tha Mazari.


Shtuar 13.12.2025 15:22