Protestat e ndihmojnë qeverinë!

Nga Edi Oga

Po po, duket si paradoks, por nëse protestat do të vazhdojnë, qeveria do të punojë më mirë në angazhimin e saj për të menaxhuar krizën e radhës. Po shpjegohem:

Protestuesit duan të sigurohen se qeveria do të shkurtojë shpenzimet e luksit, shpërdorimet dhe pagesat për partnerët privatë të punëve të saj, në mënyrë që të kursehen fonde për ata ushqehen nga paratë publike.

Protestuesit duan të sigurohen se qeveria e kupton që duhet të kontrollojë çmimet dhe të parandalojë spekulimet.

Protestuesit duan të sigurohen që qeveria të bëjë zgjedhjet dhe zgjidhjet e duhura për të siguruar vazhdimësinë e pranisë së ushqimeve bazike në treg, duke sakrifikuar preferencat e saj monopolistike.

Nga ana tjetër, qeveria duhet të jetë e qetë. Pavarësisht se nga fundi i protestave mund të dëgjohet ndonjë ‘Rama ik’ spontane dhe e ndrojtur, subjekti në fjalë të mos frikësohet; për momentin shqiptarët nuk kanë ndërmend ndonjë alternativë për të.

Këto protesta nuk janë të dhunshme. Protestat e dhunshme i organizojnë opozitat. Vetëm këto lloj protestash prodhojnë dëme, dhunë madje edhe të vrarë në rrugë.

Këto protesta nuk do të rezultojnë as në dëme, as në të vrarë e të plagosur, sepse opozita e sotme nuk organizon dot as një ‘baby shower’, jo më protestë të dhunshme!


Shtuar 15.03.2022 10:26