Protesta për çmimet, reagon policia: Do ju procedojmë penalisht

Policia e Shtetit ka thënë se do të procedojë penalisht disa prej protestuesve për çmimin e naftës dhe produkteve ushqimore.

Policia thotë se sot në disa rrugë pati bllokime të lëvizjes së lirë të automjeteve dhe të qytetarëve, si dhe kundërshtime ndaj punonjësve të Policisë që ishin në detyrë për të siguruar rendin e qetësinë, si dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Në njëoftimin për media thuhet se Policia e Shtetit është në gatishmëri të plotë për sigurimin e rendit dhe të qetësisë dhe në mbrojtje të çdo qytetari i cili proteston në mënyrë paqësore, pa cenuar të drejtat dhe liritë e të tjerëve.

Policia e Shtetit, është e vendosur të marrë masa ndaj çdo paligjshmërie dhe të procedojë penalisht çdo person që kryen akte në dëm të qytetarëve apo të lëvizjes së lirë të tyre, siç ishte  dhe rasti i sotëm i bllokimit të disa rrugëve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të mos përfshihen në akte dhune dhe paligjshmëri, në çfarëdolloj forme të shfaqjes së saj, sepse do të përballen me forcën e ligjit.

 


Shtuar 10.03.2022 09:26