“Protesta nuk bëhet për Berishën”, Këlliçi: 7 korriku do të jetë paqësor

Protesta e ditës së nesërme do të jetë paqësore. Kështu ka deklaruar deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi. I ftuar në studion e Radar Informativ me Juli Xhokaxhi, Këlliçi tha se protesta bëhet për qytetarët dhe do të jetë një pikëtakimi me shqiptarët.

Deputeti mohoi zërat kritike dhe theksoi se nuk po bëhet për Sali Berishën. Sipas tij, ish-kryeministri e ka treguar peshën e tij dhe 7 korriku është një sfidë për të.

“Do të jenë folësit që do të përfaqësojnë grupe të ndryshme të interesit. Do të fillojmë në 19:00. Është bërë thirrja që do të jetë protestë paqësore. Do të jenë të rinjtë që do të bëjnë rrethin e sigurisë. Është një protestë që bëhet për qytetarët. Nuk bëhet për Sali Berishën. Ai e tregoi peshën e tij qoftë me foltoren qoftë me 6 mars. Ai tani e ka sfidë që gjithë këtë besim që i është dhënë ta meritojë dhe ta përkthejë në rritje të opozitës. Kjo protestë bëhet për qytetarët dhe është një pikëtakimi me Shqipërinë.  Ne preferojmë që të përfaqësojë 100% qytetarët. Do të dominojnë simbolikat kombëtare”, tha ai.

Këlliçi shtoi më tej se do të ketë edhe një ndjesë nga ana e PD, për opozitarizmin e dështuar në 9 vite.

“Do të ketë edhe një ndjesë nga ana e PD që për shumë arsye i kemi lënë shqiptarëve Edi Ramën mbi kurriz. Është një pikëtakimi me qytetarët dhe aty do të merren të gjitha impresionet. Është nisja e stinës së protestave. Do të ketë protesta në seri.

Ju keni parë të gjithë zinxhirin drejtues të PD në terren duke takuar qytetarët. Protesta është paqësore. Ne po i ftojmë qytetarët të vijnë me fëmijët. Jo më kot ju përmenda që të rinjtë do të jenë të  parët që do të mbërrijnë në shesh për tu vendosur kordon përpara kordonit të policisë, në shenjë paqeje.

Është nisja e një stine protestash. Synimi jonë është largimi i Edi Ramës. Kemi 9 vite që e flasim, por kemi vetëm një muaj…padiskutim qëllimi politik është ky. Por nuk mundet që ta mohoj që ne kemi më shumë se një vit që nuk dalim në protestë. Është një ritakim me qytetarët”, u shpreh deputeti.

I pyetur për pritshmëritë, Këlliçi tha se protesta po bëhet në një moment jo shumë të favorshëm në ditë jave dhe në temperatura të larta, megjithëse sipas tij ka një dëshirë të madhe të qytetarëve për të marrë pjesë.

“Është një test për të gjithë ne, është vapë, ditë jave. Pritshmëritë janë të larta, por edhe raportimet janë nga më të ndryshme. Një pjesë të autobusëve mund tu krijojnë probleme. Duhet parë se nuk është një protestë e Lulzim Bashës tani. Kemi thënë në vjeshtë, por e nisëm në verë”, tha ai.

Lidhur me deklaratë e deputetes Dhurata Çupi, e cila tha në Radar Informativ më herët se do të jetë në protestë për qytetarët, por nuk janë të bashkuar, Këlliçi tha: “Nuk e di me kë është ndarë zonja Çupi. Unë jam e demokratët. Kjo është absurde. Lajmi mirë është që po del në protestë”.