Protesta kundër Turqisë në Suedi nxit tensione të reja

Turqia të shtunën anuloi vizitën e ministrit të Mbrojtjes të Suedisë për shkak të një proteste të planifikuar nga ekstremistët e krahut të djathtë në Stokholm, duke nxitur krizë të re lidhur me bisedimet dypalëshe për anëtarësim në NATO.

Turqia është zemëruar nga leja që ka marrë Rasmus Paludan – një politikan suedezo-danez, veprimet anti-islamike të të cilit vitin e kaluar nxitën trazira në Suedi – për të organizuar një protestë para Ambasadës turke në Stokholm.

Një ditë pasi thirri në bisedë ambasadorin suedez për të diskutuar për këtë çështje, Ankaraja njoftoi për anulimin e vizitës së ministrit të Mbrojtjes së Suedisë.

Kjo vizitë synonte tejkalimin e kundërshtimeve të Turqisë që Suedia të anëtarësohet në NATO.

“Në këtë pikë, vizita e ministrit të Mbrojtjes së Suedisë, Pal Jonson, në Turqi më 27 janar ka humbur rëndësinë dhe kuptimin, prandaj ne anuluam vizitën”, tha ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Jonson po ashtu konfirmoi vendimin për shtyrjen e vizitës, vendim që sipas tij u mor në bashkëpunim me Akar në bazën ajrore amerikane në Ramshtajn të Gjermanisë të premten.

“Raportet tona me Turqinë janë shumë të rëndësishme dhe me presim të vazhdojmë dialogun për çështje të përbashkëta të sigurisë dhe për çështje të mbrojtjes në një takim të ri”, tha ai.

Paludan kishte shprehur qëllimin e tij që të “digjte Kuranin”, librin e shenjtë të islamit, gjatë protestës të së shtunës.

Në prill të vitit të kaluar, Paludan kishte njoftuar një “turne” për djegien e Kuranit gjatë muajit të shenjtë islam të Ramazanit, gjë që nxiti trazira në Suedia.

Protesta u mbajt të shtunën në masa të rrepta sigurie. Rreth 100 persona – përfshirë një numër i madh gazetarësh – u mblodhën para Ambasadës turke në Stokholm.

Paludan dogji librin e shenjtë të myslimanëve, teksa sulmoi islamin dhe migrimin në Suedi.

“Nëse mendoni se nuk duhet të ketë liri të shprehjes, jeto diku tjetër”, tha ai.

Një numër i vogël i protestuesve pro-Turqisë protestuan në anën tjetër të rrugës, ku gjendet Ambasada turke.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu, kritikoi autoritetet suedeze për dështimin që të ndalonin protestën.

“Është veprim racist, nuk ka të bëjë me lirinë e shprehjes”, tha ai.

Zëdhënësi i presidencës turke, Ibrahim Kalin, tha se protesta inkurajoi “gjuhë të urrejtjes dhe islamofobinë”.

Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës vitin e kaluar, Suedia dhe Finlanda aplikuan për anëtarësim në NATO. Por, atyre u duhet miratimi në Parlamentin turk që t’i bashkohen aleancës perëndimore ushtarake.

Por, Ankaraja ka paraqitur disa kërkesa për Suedinë, siç është ekstradimi i personave që ajo i akuzon për terrorizëm apo që kanë qenë pjesë e grusht-shtetit të dështuar ushtarak të vitit 2016.

Turqia argumenton se Suedia nuk ka bërë mjaftueshëm sa i përket shtypjes së grupeve kurde, që Ankaraja i sheh si “terroristë”.


Shtuar 21.01.2023 17:08