Në prag të protestës së paralajmëruar nga Partia Demokratike, punonjësit e shërbimit kanë nisur përgatitjet për sigurinë e godinës së qeverisë. Mbrëmjen e së shtunës, dyert dhe hyrjet e Kryeministrisë u mbuluan me mbrojtëse metalike dhe struktura hekuri, një masë e ndërmarrë sa herë priten tubime të mëdha para institucionit.
Sipas PD-së, protesta e së hënës do të jetë vetëm hapi i parë i një serie tubimesh të përjavshme, të konceptuara si një platformë parlamentare në Bulevard, me podium dhe foltore të hapur. Thirrja për një protestë të madhe kombëtare pritet të vijë në javët e ardhshme.
Tubimi i 17 nëntorit do të jetë i pari i opozitës pas zgjedhjeve të 11 majit. Demokratët e kanë quajtur protestën e së hënës “Parlamenti para Kryeministrisë”, duke theksuar se dalin në rrugë për dy arsye kryesore: aferën e dyshuar 50 milionë euro të tunelit të Llogarasë, ku ministrja Belinda Balluku është shpallur e pandehur nga SPAK, dhe kufizimin e hapësirave të opozitës në Kuvend.
PD akuzon mazhorancën se po pengon zhvillimin normal të seancave parlamentare, ndërsa paralajmëron se protesta do të jetë pa afat, deri në reflektimin e qeverisë.
