Protesta e PD, 14 të arrestuar dhe 9 të tjerë nën hetim, lirohen të miturit

Mbrëmjen e djeshme, 14 persona janë arrestuar nga policia pas protestës së dhunshme të zhvilluar nga mbështetës të Partisë Demokratike, ndërsa 9 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë.

Sipas burimeve zyrtare, gjatë shoqërimeve janë përfshirë edhe disa të mitur, të cilët pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë.

Kujtojmë se protesta e 22 marsit, prodhoi molotovë dhe fishekzjarre ndaj kryeministrisë, Ministrisë së Infrastrukturës dhe selisë së PS, por pa mundur të depërtohej.

Nuk munguan edhe përplasjet fizike mes protestuesve dhe efektivëve, ndërsa në një moment kanë qenë deputetët e PD, Luçiano Boçi, Flamur Noka dhe Xhelal Mziu, ata që edhe kanë pasur momente tensioni dhe kanë lëshuar akuza drejt policëve.

Sipas njoftimit zyrtar nga policia, si pasojë e përplasjeve u lënduan gjashtë punonjës policie.

Të plagosurit, efektivë të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Forcës Kombëtare të Sigurisë dhe Policisë Rrugore, u dërguan për trajtim mjekësor në Spitalin e Traumës dhe në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.


Shtuar 23.03.2026 08:53