Protesta e opozitës para Kryeministrisë dhe Parlamentit, arrestohen 20 persona

Rreth 20 persona janë arrestuar nga policia, në lidhje me protestën e opozitës një ditë më parë zhvilluar para Kryeministrisë dhe Parlamentit.

Raportohet se 7 prej personave të arrestuar janë të mitur dhe pjesa më e madhe janë përsëritës, që janë ndaluar edhe më parë në protesta të ngjashme.

Sjellim në vëmendje që tubimi i 10 shkurtit herë pas herë i shoqërua edhe me tensione, pasi militantë demokratë hodhën molotovë dhe fishekzjarrë, ndërsa policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe ujë.

Mbrëmje e djeshme (10 shkurt) ministria e Shëndetësisë njoftoi se nga protesta janë plagosur 21 persona, 19 prej tyre efektivë të Policisë, një deputet i Partisë Demokratike, konkretisht Bledion Nallbati dhe një qytetar.

“Në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës janë paraqitur 10 efektivë policie, deputeti Bledion Nallbati dhe një qytetar. Ata kanë marrë ndihmën mjekësore sipas protokolleve respektive, të pritur nga ekipi mjekësor multidisiplinar.

Pas trajtimit, 9 efektivë janë larguar nga spitali, sipas këshillave të mjekut dhe një prej efektivëve është dërguar në QSUNT në Shërbimin e Toksikologjisë, për shkak të problemeve me frymëmarrjen”, sqaron ministria.

Gjithashtu, ministria e Shëndetësisë thotë se deputeti Nallbati, pasi ka marrë trajtimin e nevojshëm dhe është larguar nga spitali me këshilla mjekësore. Ndërsa në Spitalin e Traumës, po trajtohet qytetari K.K jashtë rrezikut për jetën.


Shtuar 11.02.2026 09:05