Protesta e opozitës kundër korrupsionit qeveritar, të angazhuar mbi 1300 efektivë policie, në gatishmëri edhe autobotet me ujë

Mbi 1300 efektivë policie janë në gatishmëri për të mbarëvajtur protestën e opozitës para kryeministrisë.

Sipas gazetares Xhensila Kodra në gatishmëri janë edhe autobotet me ujë, me qëllim ndërhyrjen për të shpërndarë protestuesit nëse do të jetë e nevojshme.

Një kordon policie do të jetë në perimetrin e kryeministrisë, ndërsa nëse do të jetë skenari i protestës së kaluar, policia do të zhvendoset edhe përpara Parlamentit.

Nga ora 23:45 e ditës së djeshme është bllokuar lëvizja dhe nuk lejohet parkimi i automjeteve deri në përfundim të tubimit, në bulevardin ”Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

Nga ora 15:00 e dites se sotme deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Policia paralajmëron se në varësi të zhvillimit të tubimit, mund të ketë kufizime të qarkullimit të automjeteve edhe në akse të tjera rrugore.


Shtuar 10.02.2026 16:24