Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka ironizuar në Kuvend protestën e fundit të opozitës më 28 shkurt, duke e cilësuar kryedemokratin Sali Berisha, si “ajatollahu i fundit në Europë”.
“Ndërkohë që SHBA-ja dhe Izraeli, me forcat e tyre ushtarake, godisnin objektivat e regjimit të ajatollahëve, ajatollahu i fundit në Europë, Sali Berisha, ju urdhëronte ju dhe ata që ju vijnë pas të sulmoni godina”, tha ai.
Më tej, Balla dënoi veprimet e demokratëve në protestën e 28 shkurtit, që sulmuan me molotovë e fishekzjarrë shtëpinë e diktatorit Enver Hoxha, ku tha se në atë shtëpi ka hyrë vetëm Berisha.
“Ina, nuk ke pse bërtet, sepse në atë godinë që sulmonte Saliu, nga të gjithë ne këtu, vetëm Saliu kishte qenë brenda. Asnjëri nga ne, para viteve ’90, nuk e ka pasur as në ëndërr mundësinë të hynte në atë godinë. I vetmi që mund të hynte në atë godinë, madje edhe të ngrohej pranë zjarrit bubulak të familjes së diktatorit, ishte “ajatollahu” në krye të partisë suaj”, tha ai.
