Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po zhvillon një takim me aleatët e Federatës së Opozitës së Bashkuar, në selinë blu.
Mësohet se në fokus të këtij takimi është organizimi i aksionit opozitar që pritet të kulmojë me protestën e thirrur nga PD-ja më datën 22 dhjetor.
“Kjo është një diktaturë më e egër seç ishte në ’91-in”, u shpreh Berisha.
FJALA E BERISHËS
Së pari, u uroj mirsëardhjen dhe u përshëndes përzemërsisht dhe shpresoj se edhe në emër tuaj, shpreh mbështetjen e plotë të opozitës shqiptare për çdo punonjës të zbatimit të ligjit, punonjës policie, punonjës të shërbimit informativ, punonjës të BKH dhe hetimit, prokurorë, gjykatës dhe të gjithë ata që me ndershmëri, vendosmëri, guxim, integritet dhe kurajo vendosin të zbatojnë ligjin.
Ky takim sot, ndër të tjera synon t’u shprehë mbështetje të plotë atyre që zbatojnë ligji në këtë vend.
Dhe, opozita ka qenë, është dhe do mbetet e përcaktuar për shtetin ligjor, Kushtetutën si kuadri më i mirë për respektimin e lirive dhe të drejtave të qytetarëve.
Natyrisht duke thënë këtë, opozita ka qëndruar dhe qëndron ndaj çdo shkelje, ndaj çdo dhune ligjore të përdorur për qëllime politike.
Dhe këtu, ne jemi të palëkundur në këtë qëndrim.
Por në dallim me të tjerët, opozita nuk ka organizuar, ndonëse ka të drejtë të organizojë, dhunë ndaj organeve të drejtësisë, por është përballur, pavarësisht nga absurditetet që mund të jetë detyruar, ka dëshmuar se në një shtet, Kushtetuta i ndan pushtetet dhe ato duhen respektuar.
Nuk ka bërë atë që ka regjistruar për herë të parë narkoshteti shqiptar, Edi Rama me Erion Veliajn, që rrethuan dhe dhunuan prokurorë, gjykatës dhe hetues, kur u arrestua, kur doli para gjyqit, hajduti i tretë më i madh i vendit.
Me këtë rast, unë gjithashtu dua të denoncoj çdo formë kërcënimi punonjësve të zbatimit të ligjit dhe familjarëve të tyre, dhe ta garantoj Edi Ramën, se për çdo akt ndaj tyre, për opozitën shqiptare ai do ketë përgjegjësi personale.
Nuk e di a e keni dëgjuar ju, apo jo, njeriu më i afërt, goja e tij pothuaj, fliste sot për luftë. Luftë thoshte, sepse prokuroria po sulmon gratë e pushtetit. Dhe kjo, sipas tij, do çojë vendin në luftë. E imagjinoni ju?
Të dashur miq, kjo që po ndodh është tipike për një narkoshtet. Mos harroni një zëvendëskryeministër, pa kërkuar prokuroria, pa paraqitur kërkesën për hetim, dorëzoi mandatin dhe postin. Dhe ky ishte Ilir Meta.
Sapo doli një dokument 100 përqind i manipuluar dhe falsifikuar nga Edi Rama dhe Filip Çakulli. E faktuar kjo. Sepse kodi etik dhe moral nuk e jetonte, më tha ai mua, nuk mund të shkoj unë si zëvendëskryeministër tek hetuesi. Do shkoj si qytetar i thjeshtë tek ai.
Fatmir Mediu, për një çështje që ishte absolutisht tërësisht e aparatit ushtarak, strikt, dha dorëheqjen nga posti dhe shkoi para hetimit.
Një ministër tjetër, Ilir Rusmali u shkarkua brenda 24 orëve për qëndrimin që mbajti ndaj drejtorit që dënonte korrupsionin.
Ilir Rusmali ishte bashkëpunëtori i afërt, por kur shkarkoi drejtorin për shkak të ndërhyrjes së vëllait, Ilir Rusmali u shkarkua. Janë disa norma dhe standarde, nga të cilat ne nuk mund të lëvizim.
Kurse tani ka një muaj që narkoshteti është i gozhduar sepse Lubi Balluku nuk jep dorëheqjen. Sepse Edi Rama merr hapin e turpit, e çon në Gjykatë Kushtetuese dhe merret një vendim i padëgjuar për t’i hequr pezullimin.
Dhe ka 10 ditë, ditë e natë, që falsifikon dhe modifikon provat. Unë përgëzoj vendimin e prokurorisë për të kërkuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e saj, si kusht për të mbrojtur interesin publik.
Dhe tani bëhen 100 manovra që ajo të mos shkojë atje ku e ka vendin. Përkundrazi, flitet për luftë… Se del dhe Linda tjetër, Linda me radhë, etj. Nuk ka pasur kurrë një situatë të tillë si kjo. Kurrë!
