Protesta e 14 shtatorit në Hagë, Krasniqi: Është koha të mbrojmë nderin e UÇK-së

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka njoftuar se të dielën më 14 shtator, do të organizohet një protestë në Hagë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Dhomat e Specializuara.
“Të dielën, më 14 shtator, në Hagë, protestojmë për drejtësi. Strukturat e PDK-së në mërgatë, aktivistë dhe qytetarë nga diaspora e nga Kosova, do të jenë aty për të ngritur zërin për luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për çlirimtarët tanë që po gjykohen padrejtësisht,” ka deklaruar ai.

Kryetari i PDK-së theksoi se procesi gjyqësor në Hagë po i afrohet fundit dhe se qytetarët e Kosovës presin me besim lirimin e të akuzuarve.

“Procesit në Hagë po i afrohet fundit, dhe populli i Kosovës pret me besim lirimin e shpejtë të heronjve të saj”, shkroi Krasniqi.
Ai ka bërë thirrje për unitet dhe pjesëmarrje masive në protestën e 14 shtatorit, duke theksuar se mbështetja për UÇK-në është mbrojtje e vlerave të lirisë.

“UÇK-ja ishte dhe mbetet themeli i lirisë sonë. Sot, më shumë se kurrë, kemi detyrë të qëndrojmë të bashkuar për ta mbrojtur nderin e saj dhe për të kërkuar drejtësi të barabartë për të gjithë”, tha Krasniqi.


Shtuar 9.09.2025 17:07

Tags: ,