Ditën e sotme, drejtuesja e Departamentit të Politikës së Jashtme në Partinë Demokratike, Ilda Zhulali, përmes një deklarate, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen për të protestuar së bashku, të enjten ora 8 përpara Kryeministrisë.
Gjithashtu, Zhulali theksoi se; Edi Rama, tradhtoi vokacionin kombëtar për t’iu bashkuar Europës, duke na tërhequr zvarrë drejt Ballkanit të Hapur.
Mes të tjerash ajo u shpreh se; “dështimi i Edi Ramës e la Shqipërinë vendnumëro në procesin e integrimit europian”.
Deklarata e drejtueses së Departamentit të Politikës së Jashtme ne PD, Ilda Zhulali:
“Politika mund dhe duhet të jetë një forcë e së mirës.
Të bëhemi bashkë në këtë betejë, për t’u dhënë fund kaosit, korrupsionit dhe krimit të qeverisjes 11-vjeçare të Edi Ramës. Mos harroni çfarë ka bërë në 11 vite!
Edi Rama do të mbahet mend si helmuesi më i pashembullt i marrëdhënieve ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Në 11 vite, Edi Rama u konfliktua me katër kryeministra dhe dy presidentë të Kosovës.
Ndërhyrjet e tij dobësuan pozicionin ndërkombëtar të Kosovës dhe minuan dialogun me Serbinë, që në 2013 dukej se po shkonte drejt fundit.
Edi Rama tradhtoi vokacionin kombëtar për t’iu bashkuar Europës, duke na tërhequr zvarrë drejt Ballkanit të Hapur.
Projekti i tij dhe Vuciçit për ndryshimin e kufijve e vendosën përsëri rajonin në hartën e vatrave të rrezikut për konflikt të armatosur.
Edi Rama, që veriun e Kosovës e konsideron tokë të askujt, u bë zëdhënës i Vuçiçit, dhe mbrojtësi më i flaktë i politikës serbe që refuzonte zbatimin e sanksioneve të BE ndaj Rusisë.
I vetmi në rajon që ndërtoi një marrëdhënie aq të afërt me Vuçiç sa me ironi një gazetar gjerman do ta quante “kryeministri më i mirë serb pas Pashicit”.
Dështimi i Edi Ramës e la Shqipërinë vendnumëro në procesin e integrimit europian. Nga dallgët e detit të trazuar europian tek dallga e pseudoreformave të tij ka në mes një vorbull kushtesh të papërmbushura dhe fonde të vjedhura.
Shishet e shampanjës u derdhën lumë, por negociatat me Bashkimin Europian ende nuk kanë nisur.
Asnjë investitor i madh europian nuk e shkeli territorin shqiptar, pavarësisht tapetit të kuq ku shpesh e pamë të bënte klounin. U paralajmëruam dy herë se do të pezullohej lëvizja e lirë në BE, nëse Edi Rama nuk hiqte dorë nga pasaportat e arta dhe nuk ndalonte emigrimin masiv të shqiptarëve.
Falë korrupsionit dhe babëzisë së Edi Ramës e ministrave të tij, fondet europiane për bujqësinë u pezulluan dhe qëndrojnë të ngrira deri sa këta të kthejnë paratë e vjedhura. Fondi për Portin e Durrësit u anulua.
Arritën deri aty sa të vjedhin dietat e FRONTEX, apo faturat e darkave luksoze, që paguheshin njëkohësisht edhe nga paratë e taksapaguesve europianë edhe nga taksapaguesit shqiptarë.
Por turpi më i madh dhe njolla më e zezë ndërkombëtare e Edi Ramës, do të mbetet korruptimi i agjentit të FBI Charles McGonigal me qëllim që të vriste opozitën e vendit të tij.
Edi Ramës i është dhënë e gjithë koha dhe çdo mundësi për të parë çfarë është i aftë të bëjë, dhe rezultati është dështim, krim, shpopullim. Tashmë jemi në një mision të përbashkët ta largojmë një orë e më parë.
Të bashkuar në betejë, ejani të protestojmë së bashku, të enjten ora 8 përpara Kryeministrisë”, u shpreh Zhulali.