Protesta/ Belind Këlliçi: Ambasadori i BE-së po gabon, po shet si model hajdutin ordiner Erion Veliaj

Këtë të premte, Belind Këlliçi, deklaroi sot nga protesta se Ambasadori i BE-së po gabon sot me hapjen e Kolegjit Europian në Tiranë, ku i ftuar për fjalën kryesore është pikërisht Erion Veliaj, pasi po shet si model hajdutin ordiner të Bashkisë së Tiranës.

“Dita e sotme ka nisur me një aktivitet të shëmtuar, ku regjisor kryesor është ambasadori i BE, Gonzato, i cili ditën e sotme do u shesë të rinjve ekselentë të Tiranës si model suksesi Erion Veliajn, një hajdut ordiner, një mbeturinë njerëzore dhe politike, i cili është në hetim për vjedhjen e 132 milionë eurove nga inceneratori, të paktën 30 milionë eurove nga dosja 5D.

Një njeri që ka betonizuar Tiranën, që ka shkatërruar qytetin e Tiranës, ka shkatërruar Teatrin Kombëtar dhe këtë njeri, zyra e delegacionit të BE, së bashku me një komuniste si Federica Mogherini e shesin si simbol suksesi.

Kjo është një tallje për çdo njeri që ka një pikë dinjiteti në këtë vend. Mos vallë zyra e BE nuk e di që ky hajdut është në hetim pasuror?

A mos nuk e dini se gjysma e stafit të tij kanë vjedhur vota dhe janë në burg? Për çfarë e thërrisni Erion Veliajn? Për të thënë që nuk ka mbaruar shkollën e lartë?

Ftoj Veliajn të vijë këtu të nxjerrë diplomën e universitetit dhe të tregojë a ka shkollim apo jo?”, tha Këlliçi.

Ai tha se protestat do të vazhdojnë.

“Si ka mundësi që goditet opozita pse mbron qytetarët, pse mbron Tiranën?

Si ka mundësi që kryetari i opozitës mbahet në arrest pa fakte, pa akuza, pa provë e ndërkohë këta hajdutë nuk u lëviz qimja e flokut?

Të dashur qytetarë, e dini mjaft mirë metodën e Edi Ramës, mjafton të pyesni Saimir Tahirin, Arben Ahmetajn dhe do e kuptoni se si do vijojë karriera e Erion Veliajt, Taulant Ballës, Belinda Ballukut, etj.

Ndaj, duke falënderuar të gjithë qytetarët që erdhën në këtë protestë rekord të 24-tën, i them Erion Veliajt se kjo protestë nuk mbyllet pa ikur ti nga bashkia dhe pa shkuar përpara drejtësisë.

PD ka nisur punën në terren dhe kudo jo vetëm për fitoren e zgjedhjeve, por mbi të gjitha për lirimin e liderit të opozitës dhe për të garantuar qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme”.


Shtuar 6.09.2024 12:40