Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy shtete anëtare të NATO-s dhe kanë çelur negociatat me BE-në duke konfirmuar qasjen e tyre pro-perëndimore, ndërkohë që dështimi i tyre në këtë proces do të ishte një dhuratë e çmuar e propagandës së Kremlinit për shtetet e tjera aspirante. Madje, Rusia nuk po mjaftohet më vetëm me propagandën, pasi pushtimi i Ukrainës tregoi se rusët po veprojnë konkretisht duke sulmuar kufijtë e NATO-së dhe BE-së, por edhe po investohen për të nxitur konflikte brenda këtyre kufijve.
Autorë: Emirjon Senja; Bojan Stojkovski; Xhuljana Zhuleku
“Rusia do të sigurohet që një vend ballkanik të hyjë në luftë me një tjetër“. Kjo deklaratë e Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky fill pas pushtimit të vendit të tij nga Rusia do të nxiste mjaft reagime në Bruksel dhe Uashington pavarësisht edhe kreu i shtetit ukrainas nuk dha detaje të tjera.
Liderët në Ballkanin Perëndimor nuk e komentuan këtë deklaratë, ndërsa zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) konfirmuan se ndajnë shqetësimin e Zelenskyt për ndikimin malinj të Rusisë.
“Ne kemi informacione dhe i kemi parë këto aktivitete ruse për disa kohë, kështu që kemi një pamje të plotë dhe jemi të vetëdijshëm se çfarë po përpiqet të bëjë Rusia”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media.
Po ashtu, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi se Uashingtoni po punon me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe partnerët evropianë për të përmirësuar sundimin e ligjit dhe reformat, “që do të pakësonin mundësinë e ndikimit malinj rus”.
Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor mund të shikohet nga tri aspekte: propaganda, armët dhe mbështetja politike që Rusia i jep Serbisë për “të destabilizuar rajonin”.
Ky shkrim ka për qëllim të nxjerrë në pah se si Rusia është përpjekur që të jetë prezente në dy nga vendet e Ballkanit Perëndimor, kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut.
Pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991, ndikimi rus në Shqipëri dhe Maqedoninë e Veriut u zvogëlua ndjeshëm, duke i lënë vendin një ndikimi më të kufizuar politik, ushtarak dhe ekonomik. Megjithatë, Rusia ende ka një interes të caktuar strategjik në Ballkan, veçanërisht në lidhje me sfidat e sigurisë dhe stabilitetit në rajon.
Rusia, spiunazh dhe dezinformim ndaj shqiptarëve në Shqipëri dhe rajon
Ndërkohë që ushtarët rusë dhe ukrainas po përballeshin thuajse në të gjithë vijën e frontit prej më shumë se 1 mijë kilometra të gjatë, gjatë gushtit 2022, një ngjarje në dukje periferike, por që tregonte shumë për situatën e re që do të përballej Ballkani Perëndimor, ndodhi në një qytet periferik, mes maleve në Shqipëri.
Tre të rinj, dy rusë dhe një ukrainas, sulmuan ushtarët që ruanin perimetrin e ish-Uzinës së Prodhimit të Armëve në qytetin e Gramshit, më pak 100 kilometra në jug-lindje të Tiranës, pasi kishin bërë një numër të madh fotografish brenda dhe jashtë saj.
Ngjarja mori përmasa të tjera pasi prokuroria nisi hetimet për një aktivitet spiunazhi të lidhur me shërbimet sekrete ruse pas arrestimit të të rinjve. Disa muaj më vonë, në mediat shqiptare do të publikoheshin detaje nga dosja hetimore mbi 23-vjeçarin Mikhail Zorin, sipas së cilës konfirmohet se ai kishte vepruar sipas udhëzimeve të Shërbimit të Sigurisë Federale (FSB).
Dy rusët Mikhail Zorin, 23-vjeç, Svetlana Timofeeva, 33-vjeç dhe 25-vjeçari ukrainas Fiodor Mihailoviç, po fotografonin ambientet në Uzinën e Armëve më 20 gusht të vitit 2022. Teksa kanë tentuar që të futen brenda, u pikasën nga ushtarët shqiptarë të cilët u kanë bërë me shenjë që të ndalojnë. Ato nuk u janë bindur urdhrave të ushtarëve shqiptarë, ndërsa njëri prej tyre Mikhail Zori, i ka sulmuar me spraj kimik.
Ferdinand Xhaferaj, nënkryetar i Komisionit të Sifgurisë në Kuvendin e Shqipërisë, shprehet se Rusia ka qenë vazhdimisht prezente gjatë historisë moderne të rajonit tonë, megjithatë sipas tij, ndikimi në Shqipëri dhe Kosovë gjatë dekadave të fundit ka qenë më i ulët krahasuar me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.
“Rusia ka qenë në mënyrë të vazhdueshme prezente në rajonin e Ballkanit Perëndimor duke dashur të ndikojë. Megjithatë, mund të them se gjatë viteve të tranzicionit, prezenca ruse në Shqipëri dhe Kosovë ka qenë minimale, krahasuar me shtetet e tjera të rajonit tonë. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që nuk ka patur tendenca.
Sidomos pas pushtimit rus të Ukrainës. Rasti më i fundit ishte prezenca e disa personave të vetëquajtur blogerë në Gramsh, një ndër uzinat e njohura për prodhimin e armëve në Shqipëri”, shprehet Xhaferaj.
Ai tërheq më shumë vëmendjen për ndikimin e Rusisë në biznes dhe politikë, apo më tepër, në atë që ai e quan “biznesit të lidhur me politikën”.
Ai thekson se edhe në rastet kur është vërejtur një prezencë ruse në median shqiptare, më shumë se sa për të lavdëruar Rusinë apo mbështetur politikat e saj në rajon apo botë, kemi patur të bëjmë me tendenca për nxitjen e anti-amerikanizmit dhe euroskepticizmit.
Kremlini vazhdimisht është përpjekur që përmes medias sociale dhe llogarive të rreme në aplikacione të ndryshme me shumë ndjekës të shpërndajë dezinformata në vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, e cila është reshtuar krah NATO-s dhe kundër Rusisë duke vendosur sanksione ndaj kësaj të fundit.
Fill pas nisjes së pushtimit, ambasada ruse publikoi në faqen e saj zyrtare Facebook, listën e mercenarëve që kishin shkuar të luftonin në Ukrainë kundër Rusisë.
Në listën e publikuar përmendej edhe Shqipëria ku thuhej se 150 shtetas shqiptarë kishin mbërritur në Ukrainë dhe i ishin bashkuar rezistencës ukrainase. Sipas shifrave të publikuara nga ambasada ruse kishin humbur jetën “42 mercenarë shqiptarë, 40 ishin larguar, ndërsa pjesa tjetër ndodheshin në Ukrainë”.
Ky ishte një dezinformim i pastër. Të dhënat zyrtare nuk konfirmojnë se ka shtetas shqiptarë që luftojnë krah ukrainasve në front. Disa video të publikuara në ditët e para të luftës në rrjetet sociale, i përkasin minoritetit shqiptar në rajonin e Odesas.
Rusët pretenduan përmes kanaleve të tyre të propagandës se edhe Kosova kishte një numër të lartë mercenarësh në listë. 156 persona kishin shkuar në Ukrainë nga fillimi i luftës, prej të cilëve 61 kishin humbur jetën.
Por, sipas Faktoje.al ky ishte një informacion i pavërtetë. Qëllimi i vetëm i kësaj liste ishte dezinformimi.
“Një ndër lajmet mbi të cilat Faktoje.al ka punuar është një deklaratë e përsëritur e Ambasadës ruse në Tiranë, por edhe e Ministrisë se Jashtme ruse, sipas së cilës 150 mercenarë shqiptarë po luftonin në Ukrainë. Kur janë pyetur nga Faktoje.al nuk kanë patur asnjë reagim. Ne kemi pyetur dhe Ministrisë e Jashtme shqiptare dhe atë të brendshme të cilat deklaruan se ky është një informacion i pavërtetë”, tha për Zërin e Amerikës Klodiana Kapo, drejtuese e Faktoje.
Nga ana tjetër, i ngarkuari me punë i BE në Tiranë, Alexis Hupin disa muaj pas nisjes së agresionit rus tha se situata në Shqipëri ishte duke u monitoruar dhe se dezinformatat ruse nuk kishin mundur të depërtonin.
“Jemi dëshmitarë të rezistencës, për të mos rënë në kurthin e dezinformimit dhe veçanërisht në dritën e situatës së vështirë që po jetojnë njerëzit me rritjen e çmimeve të energjisë, por edhe me rritjen e çmimeve të ushqimeve. Ka një tendencë për të rënë pre e dezinformimeve dhe me këtë dua të them, që bëhet një lidhje mes rritjes së çmimeve dhe sanksioneve kundër Rusisë. Ne e dimë me siguri se nuk ka lidhje mes sanksioneve dhe rritjes së çmimeve. Në të vërtetë, sanksionet janë hartuar me shumë kujdes, që të mos prekin ushqimet apo plehrat kimike, por ekziston një përpjekje për ta përhapur këtë dezinformim. Ndërsa ky dezinformim po fiton terren në pjesë të tjera të botës, ajo çka shohim për momentin në Shqipëri është një rezistencë e mirë”, deklaroi Hupin në gusht 2022.
Teksa janë bërë më shumë se dy vjet nga pushtimi rus i Ukrainës, situata vijon të jetë e njëjtë në Shqipëri, sipas ekspertit të marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi.
Krisafi thekson se pavarësisht përpjekjeve, dezinformatat ruse nuk kanë mundur të gjejnë terren në Shqipëri. Kjo për faktin sepse popullsia shqiptare në përgjthësi nuk ka simpati për Rusinë.
“Rusia ka një ndikim shumë të vogël në Shqipëri, qoftë ekonomik, politik apo kulturor. Kjo vjen për arsye historike sepse në fillim të shekullit XX, kur shteti shqiptar u krijua në Kongresin e Londrës, Rusia ishte shteti kryesor kundër formimit të shtetit shqiptar. Rusia ishte vendimtare që Kosova mbeti jashtë shtetit të ri shqiptar. Gjithashtu në vitet ’90 Rusia ishte vendimtare në politikën serbe ndaj Kosovës. Për të gjitha këto arsye populli shqiptar nuk ka simpati për Rusinë. Ka një nostalgji të vogël për marrëdhëniet që kemi pasur në vitet ’50-’60, por është një nostalgji më shumë kulturore. Kjo bën që dezinformimi rus në Shqipëri mos ketë efekt dhe të mos ketë një ndikim ashtu siç ka në vendet e tjera. Nuk ka një audiencë që ëshë përthithëse, por një ndikim të vogël modest mund ta ketë tek ata persona që kanë një lloj pakënasqësie ndaj NATO-s. Megjithatë kjo është një përqindje shumë e vogël”, shprehet ai.
Nëse rikthehemi në fillimet e luftës në Ukrainë, propaganda ruse tentoi të depërtonte përmes kanaleve mediatike serbe në mënyrë që të fajësonte shqiptarët për trafikun e armëve nga Ukraina.
Në korrik 2022 në median sociale Twitter, qarkulluan disa video, të cilat kanë për qëllim nxitjen e pasigurisë në rajon duke stimuluar një konflikt mes serbëve dhe shqiptarëve.
Disa llogari në Twitter shpërndanë videon e një makine me targa të pretenduara shqiptare, e cila ishte mbushur me raketa anti-tank “Javelin”, të cilat po shkëmbëheshin në tregun e zi.
Por këto pretendime u hodhën shpejt poshtë pasi targat shqiptare ishin marrë nga një foto e rastësishme në WEB për t’u keqpërdorur më pas.
“Duket se raportimet serbe se disa nga armët për Ukrainë po devijohen në Kosovë janë të vërteta. Makina në video është me targa shqiptare”, shkruante një faqe dezinformuese në Twitter duke synuar edhe fajësimin e NATO-s për zgjerimin e konfliktit krahas qëllimit ëpr të ndezur një vatër tjetër në Ballkan, cila do të shërbente për të shpërqendruar vëmendjen e Rusisë nga Ukraina.
Pretendimi u hodh poshtë edhe nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
“Rusia ka nisur një fushatë intensive dezinformimi kundër Ukrainës, BE-së dhe NATO-s, duke pretenduar për “kontrabandë armësh” të furnizuara nga aleatët”, tha ai.
“Ne nuk mund të flasim për NATO-n, por nga pikëpamja e BE-së, propaganda dhe dezinformata ruse bëjnë përpjekje të tilla shumë rregullisht dhe masivisht. Në fakt, të gjitha informacionet vijnë nga Kremlini ose nga Ministria e Mbrojtjes ose Ministria e Punëve të Jashtme”, theksoi Stano.
Sipas tij, është krijuar një mekanizëm monitorimi dhe kontrolli për të siguruar që pajisjet e ofruara nga vendet anëtare të BE-së të përdoren për këto qëllime të deklaruara.
Edhe sipas ekspertit Krisafi, pas nisjes së luftës, Rusia ka ndryshuar narrativën. Ajo po përpiqet që nëpërmjet dezinformimit të ndikojë në vendet e Ballkanit Perëndimor të cilat dëshiron t’i bindë se është “viktima” e luftës dhe jo agresori. Përmes mediumeve dezinformuese po përpiqet që të përçojë idenë se është faji i NATO-s dhe BE-së, të cilët nxisin Ukrainën kundër Rusisë.
“Vitet e fundit dezinformimi lidhet me luftën në Ukrainë duke përsëritur narrativën që është faji i NATO-s dhe BE-së që nxisin Ukrainën kundër Rusisë dhe Rusia është e detyruar të përgjigjet. Gjatë muajve të fundit kemi një ndryshim narrative në lidhje me dezinformimin ku ka një amplifikim të zërave të mbështetur nga Rusia jo vetëm në Ballkan por në gjithë Evropën, ku po mundohen të japin narrativën që Ukraina e ka humbur luftën. Nga ana tjetër ka pasur një valë dezinformimi në lidhje me integrimin evropian duke vënë në dukje që integrimi evropian nuk i shërben vendeve të Ballkanit Perëndimor, që vetë BE është e përçarë. Shqipëria drejpërdrejt ka pasur një prekje të tërthortë nga dezinformimi rus, sepse në Shqipëri së pari nuk ka media të tilla të financuara haptazi nga Rusia dhe e dyta sepse popullsia shqiptare nuk ka simpati për Rusinë apo mesazhet që mund të vijnë nga Rusia. Vetë Rusia e di që e ka të vështirë të ndërhyjë në Shqipëri”, thekson ai.
Krisafi shton se fushatat dezinformuese të Rusisë kanë pasur efekt në vendet e tjera të rajonit, siç janë Serbia, e cila ka lidhje të forta me Rusinë, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.
“Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, dezinformimi rus është përqendruar te lufta dhe te NATO. Rusia pretendon se në këtë rast është viktimë. Në Shqipëri nuk ka simpati për këto lloj narrativa, ndërsa në vende të rajonit ka simpati pro ruse dhe në këto raste dezinformimi rus në masë të konsiderueshme ka pasur sukses. Sondazhet tregojnë se shumica në Serbi, shumica në Mal të Zi, një pjesë e konsiderueshme në Maqedoninë e Veriut janë pro narrativës se Rusia është “viktimë”. Këto vende kanë edhe lidhje historike, kulturore, fetare me Rusinë dhe e shohin me dashamirësi. Në Shqipëri, Instituti i Shërbimeve Kombëtare ka bërë një studim në lidhje me NATO-n dhe një ndër pyetjetjet ka qenë ajo për luftën në Ukrainë. Në ndryshim nga vendet e tjera të rajonit, shumica e popullsisë shqiptare, rreth 80% ishin me idenë që Rusia është fajtorja për fillimin e luftës”.
Propaganda ruse, më aktive në Maqedoninë e Veriut
Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Maqedoninë e Veriut këtë pranverë u shoqëruan me një intensitet të lartë të propagandës ruse para dhe pas tyre. Gjithçka ndodhi ishte paralajmëruar edhe më herët ndërkohë që Maqedonia e Veriut gjithashtu ka dëshmuar të jetë një mbështetëse e vendosur për Ukrainën në mes të agresionit të Rusisë në vend.
Paralajmërimet e fundit erdhën nga ish-ministri i marrëdhënieve ndërmjet komuniteteve dhe zyrtari i lartë i partisë “Bashkimi Demokratik për Integrim”, Artan Grubi, i cili theksoi se zgjedhjet do të përcaktonin gjithashtu se cila do të ishte e ardhmja e Maqedonisë së Veriut.
“Gjithçka që marrim nga Rusia janë probleme, telashe, provokime dhe kjo na largon nga rruga evropiane. Ajo që marrim nga SHBA-ja është mbështetja për aspiratat në BE, rinovimi i spitaleve, ndërtimi i rrugëve, kopshteve dhe projekteve që u nevojiten qytetarëve. Prandaj qytetarët tanë duhet të shohin dallimet mes miqësisë me komunitetin euroatlantik, me SHBA-në dhe BE-në dhe çfarë marrim nga ndikimi shkatërrues i Rusisë. Është shumë e rëndësishme të marrim një vendim, nëse duam një Maqedoni evropiane apo pro-ruse”, tha Grubi në një deklaratë për mediat lokale, e cila ishte nën kontekstin e zgjedhjeve që po vinin.
Duke qenë e pozicionuar mes vendeve që kanë parë një ndikim të fortë rus, si Serbia dhe Bullgaria, Maqedonia e Veriut tani po përballet gjithashtu me sfidën e frenimit të përpjekjeve të drejtpërdrejta ruse për të destabilizuar jo vetëm vendin, por edhe të gjithë rajonin.
“Ne po zbulojmë se ka vende të treta që kanë ndikim të dëmshëm në vendin tonë dhe ai shtet është Rusia. Me sjelljen e saj këtu në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe nga informacionet që ndajmë dhe disponojmë, kjo është bëhet edhe në vende të tjera”, tha më herët ministrja e mbrojtjes Slavjanka Petrovska për Zërin e Amerikës, duke shtuar se kjo ishte arsyeja e dëbimit të tre diplomatëve rusë në shtator të vitit të kaluar.
Petrovska ka qenë e bindur se një ndikim i tillë keqdashës është veçanërisht një kërcënim përderisa vendi po përpiqet të përmbushë qëllimet e tij strategjike afatgjata dhe të bëhet anëtare e BE-së.
“Ata me sjelljet e tyre ndikojnë ose tentojnë të ndikojnë në procese që janë të brendshme, në institucionet tona dhe në shtet, dhe me të cilat duhet të vazhdohet rruga e integrimeve evropiane dhe euroatlantike, çka është edhe më e rëndësishme, drejt realizimin e synimeve tona kombëtare dhe strategjike”, sqaroi Petrovska.
Mediat sociale si parajsë për dezinformimin rus në Maqedoninë e Veriut
Kur bëhet fjalë për vetë fushatat e dezinformimit, raportet e fundit treguan se për periudhën nga marsi 2022 deri në shkurt 2023, pas pushtimit rus të Ukrainës, u identifikuan më shumë se 10 mijë postime në Facebook, me pjesëmarrjen e “aktorëve vendas” që përhapin gjuhën ruse por edhe propagandën e Kremlinit në Maqedoninë e Veriut.
Kjo ndërhyrje, siç theksohet nga Dimitar Nikolovski, drejtor ekzekutiv i “think tank-ut” me bazë në Shkup, Eurothink – Qendra për Strategjitë Evropiane, ka për qëllim devijimin e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut nga rruga e tyre evropiane dhe nxitjen e aleancave alternative si Euroazia ose BRICS.
Një nga fushat kryesore ku dezinformimi rus ushtron ndikim është shtrembërimi i fakteve që lidhen me marrëveshjet kritike diplomatike. Nikolovski thekson se qendrat e dezinformimit manipulojnë informacionin për marrëveshjen e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, propozimin francez dhe amendamentet kushtetuese.
“Duke marrë parasysh përkushtimin e qeverisë maqedonase për integrimin evropian, si dhe rrugën specifike të Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ky proces është me interes të madh për qendrat e dezinformimit pro rus. Mesazhe dhe ide specifike çorientuese transmetohen veçanërisht përmes mediave sociale, me qëllim që të distancohen qytetarët maqedonas nga rruga e saj evropiane dhe të bëhen më tërheqëse alternativat si Euroazia ose BRICS.
Pra, ato procese paraqiten si katastrofike për frymën etnike maqedonase, edhe pse në realitet janë rezultat i negociatave politike në një atmosferë shumë të vështirë gjeopolitike”, shpjegon Nikolovski.
Narrativa e shtrembëruar dhe efektet e saj në identitetin maqedonas
Këto shtrembërime janë krijuar gjithashtu për t’i portretizuar këto procese si të dëmshme për identitetin etnik maqedonas, duke krijuar një narrativë të rreme që ndryshon nga realiteti i negociatave politike në një atmosferë sfiduese gjeopolitike. Aleksandar Srbinovski, një analist i sigurisë dhe koordinator kombëtar në Iniciativën Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC), thekson se ndikimi rus dhe ai kinez bëhet më i dukshëm kur Maqedonia e Veriut përballet me dështime diplomatike, siç janë mosmarrëveshjet me Greqinë, anëtarësimi në NATO, konflikti me Bullgarinë dhe procesi i anëtarësimit në BE.
“Në secilën nga këto pika, Maqedonia arriti t’i tejkalojë sfidat e ndikimit të huaj në skenën e brendshme politike, por me përmbushjen e synimeve tona kombëtare, dinamika e tyre intensifikohet”, thotë Srbinovski.
Eksperti më tej thekson se ndikimi rus është mjaft i dukshëm edhe në mediat maqedonase, veçanërisht gjatë konfliktit në Ukrainë. Ndërsa shumica e mediave raportojnë profesionalisht për ngjarjet ndërkombëtare, një pjesë e vogël por me ndikim në audiencë përhap propagandën ruse në kundërshtim me aspiratat kombëtare dhe politikat e sigurisë.
“Një pjesë e mediave maqedonase raporton profesionalisht për ngjarjet në fushëbeteja, por një pjesë e vogël e mediave dhe gazetarëve të caktuar në rrjetet sociale përhapin propagandë ruse që është në kundërshtim me aspiratat tona kombëtare dhe në kundërshtim me politikën tonë të sigurisë kombëtare. Fatmirësisht, në të gjithë këtë proces, këto media po humbasin lexues dhe shikueshmëri dhe nuk janë më opinionbërëse në vend, por ende po shkaktojnë dëme për të cilat është dashur të përgjigjen autoritetet nga shteti”, shton Srbinovski.
Nga ana tjetër, një përgjigje joefektive mund të çojë gjithashtu në një rritje të rusofilizmit në vend, një prirje që historikisht nuk ekzistonte në Maqedoninë e Veriut.
“Përkatësisht, rusofilizmi në rajonin e Ballkanit është i pranishëm më së shumti në Bullgari dhe Serbi, por vendi ynë dhe mediat këtu asnjëherë nuk kanë qenë pjesë përbërëse e këtij zhvillimi. Edhe në kohën e Jugosllavisë dhe komunizmit, vendi ynë, si pjesë Jugosllavisë, kritikoi ashpër veprimet e Rusisë në skenën ndërkombëtare dhe mbështeti të gjitha vendet që u sulmuan nga këta agresorë”, përfundon Srbinovski.
Sipas autoriteteve dhe ekspertëve, ajo që është e domosdoshme për momentin është që Maqedonia e Veriut ta trajtojë sfidën me propagandën ruse duke mbështetur parimet demokratike dhe lirinë e fjalës.
Prandaj, bashkëpunimi ndërkombëtar, veçanërisht me partnerët e BE-së dhe anëtarët fqinjë të NATO-s mund të jetë thelbësor për t’iu kundërvënë këtyre përpjekjeve të dezinformimit dhe për të mbrojtur rrugën e rajonit drejt Bashkimit Evropian. /albeu.com