Pronar i JET Bank konfirmohet biznesmeni i platformave FOREX, Idan Avishai

Nga Ersuin Shehu

Në fillim të këtij viti, JET Bank regjistroi strukturën zyrtare aksionare. Kompania kontrollohet nga shoqëria holding e regjistruar në Hollandë, Jet Holdings, ndërsa aksionarë indirektë janë një grup shoqërish tregtare të regjistruara në Qipro dhe Izrael.

Aksionar kryesor në Jet Holdings rezulton shoqëria qipriote Constador LTD. Sipas informacionit nga regjistri i biznesit në Qipro, aksionar i vetëm i shoqërisë është Idan Avishai, i njëjti person që kontrollonte plotësisht Jet Albania, e cila i parapriu JET Bank, me qëllim ngritjen e strukturave përkatëse për të përgatitur aktivitetin e kompanisë.

Për sa u takon kompanive të tjera aksionare, të regjistruara në Izrael, emrat e pronarëve të tyre nuk janë publikë. Sidoqoftë, ligji shqiptar kërkon identifikimin e pronarëve përfitues që kanë një kontroll me më shumë se 25% të aksioneve. Duke qenë se asnjëra prej tyre nuk zotëron kontroll indirekt sipër këtij kufiri, formalisht JET Bank nuk është e detyruar të deklarojë pronarët e këtyre kompanive.

JET Bank mori nga Banka e Shqipërisë miratimin paraprak për të ushtruar aktivitet bankar dhe financiar në Shqipëri, në dhjetor të vitit të kaluar, me qëllimin për të ngritur bankën e parë plotësisht dixhitale.

Megjithatë, banka ka qenë deri më sot e rezervuar për të bërë transparencë të plotë lidhur me strukturën e saj aksionare. Zyrtarisht, banka prezantohet si pjesë e Jet Holdings, një konsorcium britanik me qendër në Amsterdam.

Në fakt, Jet Holdings është një shoqëri e themeluar në shtator të vitit 2025 dhe e regjistruar në Hollandë, me kapital të paguar 50 mijë euro.

Sipas dokumentacionit zyrtar të depozituar, Jet Holdings ka gjashtë shoqëri aksionare, përkatësisht: Constador LTD, shoqëri e regjistruar në Qipro, me afërsisht 71.5% të aksioneve; Don Albania Holdings LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 3.7% të aksioneve; Ori Eyal LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 2.6% të aksioneve; Yebogogo LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 4.9% të aksioneve; Nathan Lawrence LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 4.9% të aksioneve; Israel Albania Holding LTD, shoqëri e regjistruar në Izrael, me 12.4% të aksioneve.

Megjithatë, edhe me regjistrimin e strukturës së re aksionare, investitori kryesor dhe pronari përfitues vendimmarrës është shtetasi izraelito – britanik Idan Avishai.

Informacioni i drejtpërdrejtë rreth të kaluarës së tij në biznes është i pakët, por i lidhur kryesisht me sektorin platformave të tregtimit online ose platforma FOREX, siç njihen për thjeshtësi emërtimi nga publiku.

Në regjistrin e bizneseve të Britanisë së Madhe, shtetasi Idan Avishai, i datëlindjes janar 1980, rezulton gjithashtu aksionar dhe drejtor në S.O.N MANAGEMENT LTD, kompani e regjistruar në vitin me objekt kryesor aktiviteti menaxhimin dhe konsulencën në aktivitete jashtë menaxhimit financiar.

Por, të dhëna të tërthorta tregojnë se, me shumë të ngjarë, ai është personi që qëndron pas platformës së tregtimit online, Fortrade.

Njëri nga drejtorët manaxhues të Jet Holdings është shtetasi amerikano-britanik Louis Grant Silver. Louis Grant Silver rezulton drejtor në kompaninë e regjistruar në Britaninë e Madhe, Fortrade Limited, shoqëri që deklaron si objekt kryesor aktiviteti ofrimin e shërbimeve të investimit në pozicione në valutë të huaj dhe derivate, duke përfshirë Kontratat për Diferencë (“CFD”). Louis Grant Silver është njëkohësisht edhe drejtor i aksionarit kryesor të Jet Holdings, Constador LTD, shoqëri e regjistruar në Qipro në korrik 2025.

Në aktet e themelimit të Jet Holdings, drejtor ekzekutiv rezultonte shtetasi nga Lihtenshejni, Oliver Hemmer. Përveçse ish-drejtor ekzekutiv i Jet Holdings dhe Constador LTD, Oliver Hemmer është njëkohësisht drejtor edhe në shoqërinë Fortrade Cyprus LTD, filialial i shoqërisë britanike Fortrade Limited.

Oliver Hemmer më herët pati qenë edhe një nga anëtarët e Këshillit Drejtues të Jet Albania.

Sipas dokumentacionit zyrtar të kompanisë, pala finale kontrolluese e Fortrade Limited është trusti nga Lihtenshtejni, Audina Treuhand. Kjo kompani funksionon si një trust i pavarur ose shoqëri që vepron si palë e besuar dhe administratore e aseteve të personave të tretë.

Megjithatë, të dhënat e tërthorta dhe lidhjet me Jet Holdings dhe Jet Albania tregojnë se personi pas Fortrade është investitori kryesor i JET Bank, Idan Avishai.

Platforma Fortrade (që vepronte fillimisht me emrin FX Lider) u raportua publikisht në vitin 2018 nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) në Shqipëri për ushtrimin e aktivitetit financiar të palicencuar në Republikën e Shqipërisë. Burime nga tregu bëjnë të ditur se një gjë të tillë ka bërë edhe autoriteti homolog në Kroaci, HANFA.

Fortrade është një rrjet me kompani ose zyra të regjistruara në vende të ndryshme, si Britaninë e Madhe, Qipro, Kanada, Australi, Mauritius, Izrael dhe Serbi.

Aktiviteti i platformave të trading, si Fortrade, në përgjithësi është i ligjshëm, me kushtin e marrjes së miratimeve të nevojshme nga autoritetet rregullatorë dhe mbikëqyrëse të tregjeve financiare.

Megjithatë, këto platforma përgjithësisht ofrojnë investime në produkte financiare me rrezik të lartë. Disa prej produkteve, si kontratat Binary ose CFD, janë të kufizuara ose të ndaluara për investitorët me pakicë në shumë vende të Botës. Pikërisht ofrimi i produkteve me rrezik të lartë tek investitorët e vegjël i bën platformat e trading online si subjekte me reputacion të diskutueshëm, madje numërohen shumë raste kur ndaj këtyre platformave dhe pronarëve të tyre janë ngritur akuza për aktivitete të mirëfillta mashtruese. Vetëm pak muaj më parë, një skemë mashtrimi e Forex Trading u zbulua dhe mbyll nga Prokuroria Speciale (SPAK) në Tiranë.

Ndaj Fortrade nuk janë ngritur deri më sot akuza të këtij lloji, por sigurisht që ky lloj aktiviteti nuk i bën pronarët apo personat e lidhur me të subjekte me reputacion shumë të lartë për t’u licencuar si investitorë të bankave tregtare, që manaxhojnë depozita të publikut.

Licencimi i JET Bank nuk kaloi pa debate edhe në strukturat e Bankës së Shqipërisë, madje një drejtuese në Departamentin e Mbikëqyrjes dha dorëheqjen pa e firmosur propozimin për dhënien e miratimit paraprak për licencë ndaj këtij subjekti.

Sipas informacioneve që qarkullojnë mes profesionistëve të tregut financiar (por që natyrisht janë të vështira për t’u konfirmuar zyrtarisht), licencimi i JET Bank është bërë me mbështetjen e personave me ndikim pranë qeverisë.

Madje, përkrahja politike u është përmendur hapur si avantazh edhe kandidatëve që janë intervistuar për t’u rekrutuar në menaxhimin e lartë të bankës.


Shtuar 6.03.2026 11:35