Prokuroria nis verifikimet, Shkreli: Më dëbuan nga Italia se isha pa dokumente

Kryebashkiaku u zgjedhur i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, ka reaguar pas nisjes së hetimeve ndaj tij nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme.

Prokuroria ka nisur hetimet pasi Shkreli deklaroi se është dëbuar nga Italia, por nuk ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se cila ishte arsyeja e dëbimit të tij në vitin 2007-të.

Në reagimin e tij Shkreli thekson se ai ëhstë dëbuar nga Italia pasi ka qenë pa dokumenta, ndërsa fton organet kompetente të vijojnë hetimet.

Në vitin 2007, kam qenë emigrant si shumë prej shqiptarëve me idenë për të krijuar një jetë më të mirë për mua dhe familjen time! Policia e vendit fqinj në një kontroll rutinë në rrugë më ndaloi dhe verifikuan se jam një emigrant pa dokumentacione përkatëse dhe më ka kthyen në Shqipëri vetëm për këtë arsye, për mungesë dokumentacioni! Edhe formulari i dekriminalizimit e ka të shkruar qartë se nëse je kthyer për mungesë dokumentacioni, mund të mos e citosh! Pas konsultimeve me avokatin tim, vendosa ta shënoj në formularin e dekriminalizimit arsyen përse policia italiane më riktheu në Shqipëri 16 vite më parë.

Ndryshe nga para dy 2 vitesh, kur po garoja për deputet, unë nuk e pash të arsyeshme që t’a deklaroj duke qenë se nuk është aspak një shkelje e ligjit! Dua të sqaroj çdo qytetar të Bashkisë Vau Dejës dhe mbarë vendit se unë, Kristian Shkreli jam i gatshëm për çdo hetim apo sqarim nga institucionet përkatëse pasi asnjëherë nuk kam qenë objekt i kryerjes së veprave penale! Për çdo sulm politik për të njollosur figurën time, nuk do përtoj të kthej përgjigje sepse nuk kam asgjë për të fshehur! Gati për këdo dhe kurdoherë.

Institucionet i ftoj të bëjnë çdo verifikim të mundshëm ndërsa ne na pret një punë e madhe përpara për vijimin e transformimit të Vau Dejës me projekte e investime të rëndësishme që do ta zhvillojnë si asnjëherë më parë këtë zonë dhe shërbime më të mira për qytetarët! Ata të cilët kanë humbur rrugën e tyre i ftoj që të shohin se si Vau Dejës do të shndërrohet në një qytet të përparuar dhe me një vizion bashkëkohor! Na presin punë të mëdha ndaj edhe nuk mund të humbim kohë”, shkruan Shkreli”, shkruan Shkreli.


Shtuar 17.05.2023 15:04