Prokuroria kërkon 3 vite burg për Marielën, 3 vite shërbim prove për Antonelën

Prokuroria e Tiranës dha pretencën për motrat Antonela dhe Mariela Berishaj të cilat goditën me sende të forta 26 vjeçaren Klea Prenga verën e vitit të kaluar. Prokurori Ndini Tavani kërkoi 3 vite burg për Mariela Berishës e cila ndodhet në masën “arrest ne shtëpi”, por që nga gjykimi i shkurtuar në rast se gjendet fajtore dënimi zbret në 2 vite.

Ndërsa për Antonelën kërkoi 3 vite shërbim prove, që me gjykim të shkurtuar zbret në 2 vite shërbim prove. Dy motrat u vetëdorëzuan në polici në muajin tetor 2024, dhe akuzohen për kryerjen e veprës penale plagosje të rëndë me dashje, kryer në bashkëpunim”.

Klea Prenga u dhunua barbarisht nga motrat Berishaj teksa ishte duke darkuar në një restorant në kryeqytet në zonën e Kodrës së Diellit, mbrëmjen e 6 gushtit 2024 dhe teksa ishte duke ngrënë motrat e kanë goditur me sende të forta, shishe qelqi, duke i shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në fytyrë.

Shkak i dhunës që motrat ushtruan mbi Prengën mendohet se është bërë dyshimi i Marielës se Klea kishte lidhje me bashkëshortin e saj prej të paktën një viti.


Shtuar 25.03.2025 14:53