Qeveria shqiptare ka përgatitur një projektligj të ri “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, që pritet të zëvendësojë ligjin aktual të vitit 2017. Projektligji i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë krijon hapësira për një trajtim me më shumë fleksibilitet të vetëprodhuesve të energjisë nga burimet e rinovueshme.
Ligji aktual lejon prodhimin e energjisë nga dielli apo era për nevoja vetjake të biznesit apo familjes deri në një kapacitet të instaluar prej 500 kW. Këtë vit disa prodhues, kryesisht biznese, i kanë kërkuar Ministrisë së Energjisë që bilanci i energjisë së prodhuar të jetë vjetor dhe jo mujor. Ligji aktual parashikon se, në përputhje me skemën e matjes, një shoqëri e vogël ose e mesme apo një klient familjar mund të instalojë një kapacitet total deri në 500 kW për prodhimin e energjisë elektrike nga era ose dielli për të mbuluar një pjesë ose të gjithë energjinë që nevojitet për nevojat e tij dhe të injektojë energjinë e tepërt të prodhuar në rrjetin e shpërndarjes.
Klientët, sipas skemës së matjes neto të energjisë, duhet të instalojnë me shpenzimet e tyre një matës me dy drejtime dhe bilanci neto dhe faturimi bëhen në baza mujore për secilën pikë matëse.
Projektligji i përgatitur parashikon se Këshilli i Ministrave do të përcaktojë (mes të tjerash) edhe periudhën vjetore që do shërbejë për matjen e prodhimit të tyre. Delegimi i të drejtave dhe përgjegjësive të vetëkonsumatorëve të rinovueshëm në një VKM krijon hapësira për më shumë fleksibilitet në lidhje me periudhën e faturimit të energjisë së prodhuar nga vetëkonsumatorët.
Një tjetër risi që sjell projektligji është njohja e të drejtës së prodhuesve të vegjël për ta tregtuar lirshëm tepricën e energjisë së prodhuar. Ligji aktual parashikon se teprica e energjisë elektrike më e madhe se konsumi mujor hidhet në rrjetin e shpërndarjes dhe shitet te furnizuesi i shërbimit universal, i ngarkuar me detyrimin e shërbimit publik, sipas çmimit të caktuar nga ERE,
Projektligji i përgatitur nga qeveria përcakton se vetëkonsumatorët e rinovueshëm do të kenë një kapacitet maksimal prej 500 kW dhe do të kenë të drejtë të gjenerojnë, konsumojnë, ruajnë dhe shesin prodhimin e tepërt të energjisë elektrike të rinovueshme, duke përfshirë përmes marrëveshjeve dypalëshe, furnizuesve të energjisë elektrike dhe marrëveshjeve të tregtisë me homologët, pa u përballur me ngarkesa diskriminuese ose joproporcionale.
Vendimi i Këshillit të Ministrave do të përcaktojë skemën e kompensimit të vetëkonsumatorëve të rinovueshëm bazuar në metodologjinë e faturimit neto, procedurat e aplikimit për vetëkonsumatorët e rinovueshëm, duke përfshirë afatet përkatëse, kërkesat teknologjike dhe teknike, duke përfshirë përmirësimet e nevojshme të matësve për të mundësuar zbatimin e skemës së kompensimit, rregullat për shitjen e energjisë së vetëprodhuar, shpërblimi për energjinë elektrike të gjeneruar nga vetëkonsumatorët e rinovueshëm, etj. Sipas projektligjit, çmimi i energjisë elektrike i gjeneruar nga vetëkonsumatorët e rinovueshëm duhet të sigurojë një kompensim të drejtë që pasqyron vlerën e tregut të energjisë së furnizuar në rrjet dhe do të shmangë ndërsubvencionet ose diskriminimin e padrejtë ndërmjet vetëkonsumatorëve të rinovueshëm dhe konsumatorëve të tjerë. Cmimi i energjisë elektrike duhet të marrë në konsideratë edhe kostot e shkaktuara për transmetimin, shpërndarjen dhe balancimin e sistemit.
Sulmi i Rusisë në Ukrainë dhe efektet zinxhir që solli lufta kanë shkaktuar shtrenjtim të çmimeve të energjisë elektrike në nivele të paregjistruara më parë. Rritja e çmimeve të energjisë ka rritur interesin për investime në energji të rinovueshme për nevoja të konsumit vetjak, sidomos nga bizneset./MONITOR