Nga Hamza Karcic “Foreign Policy”
Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com
Përpara se të mposhtej në balotazhin e zgjedhjeve presidenciale më 2 prill, presidenti në ikje i Malit të Zi, Milo Djukanovic dha alarmin për një ringjallje të përpjekjeve serbe për të krijuar një “botë serbe” në Ballkan, që ka lidhje të ngushtë me ideologjinë që po nxit pushtimin rus të Ukrainës.
“Projekti i ‘botës ruse’ në Ballkan quhet ‘bota serbe”- paralajmëroi Djukanovic, përpara se të humbte në zgjedhje, duke argumentuar se Serbia i sheh shtetet pasardhëse të Jugosllavisë në të njëjtën mënyrë siç i sheh Rusia shtetet e pavarura post-sovjetike: gati për t’u vendosur nën kontrollin e saj politik apo edhe për t’u aneksuar prej saj.
Gjatë dekadave të fundit, ideja e një “bote ruse” ka diktuar mënyrën se si Rusia i sheh popullsitë e vendeve ish-sovjetike. Gjuha ruse, Krishterimi Ortodoks, kultura dhe historia e përbashkët shihen nga Moska si lidhje që i mbijetuan shembjes së Bashkimit Sovjetik.
Më shumë se tre dekada më vonë, Moska i sheh ende këto vende si pjesë të sferës së saj të influencës, pavarësisht se këto janë shtete të pavarura.
Presidenti Vladimir Putin e justifikoi aneksimin e Krimesë nga Rusia në vitin 2014, duke iu referuar në thelb përpjekjes për të rikrijuar ‘botën ruse’. Edhe pushtimi në shkallë të gjerë i Ukrainës në vitin 2022, synon që të rivendosë “unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve”.
Bota ruse pasqyron një përplasje midis “kufijve aktualë shtetërorë të Federatës Ruse dhe hartave mendore të ‘rusizmit’, të cilat ekzistojnë në mendjet e shumë rusëve, thotë Igor Zevelev, bashkëpunëtor në Qendrën Wilson. Ai shton se koncepti i botës ruse “e lejon Moskën të mbajë kufijtë të paqartë, të paktën në nivelin retorik, gjë që ka pasoja serioze për sigurinë rajonale”.
Timothy Garton Ash shkroi kohët e fundit se “ideologjia e një bote ruse ka qenë përherë e lidhur ngushtë me projektin perandorak rus, Kishën Ortodokse Ruse… dhe autokracinë”. Ngjashëm, ideja e një bote serbe hedh dyshime mbi kufijtë e shteteve pasardhëse të Jugosllavisë dhe synon ribashkimin e tyre. Ky koncept u artikulua për herë të parë në shtatorin e vitit 2020 nga Ministri i atëhershëm serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin. Në atë kohë, Vulin deklaroi “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic duhet të krijojë një botë serbe. Beogradi duhet të bashkojë të gjithë serbët. Presidenti i Serbisë është presidenti i të gjithë serbëve!”.
Deklarata e Vulin nuk ishin një gafë. Strategjia e Sigurisë Kombëtare të Serbisë e vitit 2021, deklaronte ndër të tjera se objektivi i vendit është “ruajtja e ekzistencës dhe mbrojtja e popullit serb kudo që ai jeton”. Pra Serbia e konsideron veten përgjegjëse për promovimin dhe garantimin e interesave politike të serbëve që jetojnë jashtë kufijve të saj.
Po ashtu kjo strategji deklaroi se “ruajtja e Republikës Srpska është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë”. Republika Srpska është një njësi administrative brenda Bosnje Hercegovinës, fryt i Marrëveshjes së Dejtonit të arritur në fundin e vitit 1995.
Sipas këtij dokumenti Serbia dhe Republika Srpska lejohen të kenë “marrëdhënie të veçanta paralele”. Shqetësimi në këtë rast është se Serbia po merr përsipër të mbrojë një pjesë të territorit të Bosnjës. Ndoshta në strategjinë e sigurisë kombëtare të asnjë vendi tjetër, nuk është aq zyrtarisht e përcaktuar dhe e mirë-pranuar ndërhyrja e tij në një shtet fqinj. Fundjavën e kaluar, udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik bëri thirrje për bashkimin e Republikës Srpska dhe Serbisë, duke shtuar se “ky shekull është një shekull i bashkimit të serbëve”.
Ish-anëtari boshnjak i presidencës trepalëshe të Bosnjës, Sefik Dzaferovic, paralajmëroi në vitin 2021 se diskutimet e politikanëve serbë për një botë serbe të kujtonin projektin e ish-liderit autoritar serb Slobodan Milosevic mbi “Serbinë e Madhe”, pra përpjekjen për të integruar të gjithë serbët në një shtet, projekt që shkaktoi për vite të tëra lufte, nga e cila vuajtën sidomos njerëzit në Kroaci dhe Bosnje Hercegovinë.
Kolegu i Dzaferovic në presidencë, kroati i Bosnjës Zeljko Komsic, deklaroi në Parlamentin Evropian në mars 2022 se “bota serbe ishte identike me të ashtuquajturën botë ruse” për nga shtrirja, synimet dhe arsyetimi strategjik. Si për të treguar përkushtimin e tij ndaj kësaj teze të rrezikshme, Vulin deklaroi në qershor 2022 se “formimi i botës serbe është një proces që nuk mund të ndalet”.
Muajin që pasoi, ai ishte edhe më i drejtpërdrejtë: “Unë ëndërroj bashkimin e serbëve, ashtu siç e kanë ëndërruar të gjithë të parët e mi. Unë e di që një ditë kjo gjë do të ndodhë, në mënyrë paqësore, pa dhunë dhe konflikt”.
Madje ai bëri thirrje për bashkimin e të gjithë serbëve në Ballkan “në një shtet”, edhe pse mbetet e paqartë se si ai planifikon të ri-caktojë pa dhunë kufijtë dhe të përfshijë serbët që jetojnë në shtete të tjera të pavarura. Duke theksuar se kufijtë janë të paqartë dhe të ndryshueshëm, ai i bën jehonë përkrahësve të një bote ruse, siç është ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov, i cili gjithashtu mendon se kufijtë post-sovjetikë janë të paqartë dhe në përputhje me rrethanat dhe se Moska po merr përsipër që t’i rishikojë ato.
Në korrikun e vitit të kaluar, Lavrov tha se qëllimet ushtarake të Rusisë në Ukrainë do të zgjeroheshin përtej rajoneve lindore të vendit fqinj, duke shtuar se “gjeografia është e ndryshueshme”. Vulin u takua me Lavrov kur ai vizitoi Moskën muajin e ardhshëm.
Të marra së bashku, Strategjia e Sigurisë Kombëtare e Serbisë për vitin 2021 dhe deklaratat e Vulin gjatë vitit të kaluar, përbëjnë sigurisht arsye për t’u shqetësuar. Edhe më shqetësues është fakti që në vitet 1990 Vulin ishte vartës i bashkëshortes së Slobodan Milosevic, Mira Markoviç, dhe e viziton në çdo përvjetor varrin e ish-udhëheqësit serb. Retorika e Vulin dhe lidhja e tij e fortë me vitet e Miloshevic në pushtet, kanë ngritur dyshime në Bosnje se bota serbe është siç e quan politologia Jasmin Mujanovic “Serbia e Madhe 2.0”. Edhe shefi i Vulin, Vucic, ka qenë pjesë e administratës nën sundimin e Milosevic në vitet 1990, dhe nuk e ka mohuar idenë e një bote serbe.
Edhe pse kjo ide po fiton mbështetje institucionale, shumë njerëz në rajon e shihnin Djukanovic si një frenues të këtij projekti. Por këtë muaj, ekonomisti 36-vjeçar Jakov Milatovic fitoi 60 përqind të votave ndaj 40 për qind të Djukanovic, duke u bërë presidenti i ri i Malit të Zi.
Në pamjet të parë, ky rezultat zgjedhor nuk duket si i pazakontë: një politikan veteran i akuzuar prej kohësh për korrupsion u zëvendësua nga një kandidat i ri me kredenciale ndërkombëtare që premton ndryshim. Por humbja e Djukanovic është një fitore e madhe për ata që besojnë në një botë serbe dhe mbështesin synimet e saj.
Sepse ajo heq barrierat ndaj ndikimit të Beogradit në Malin e Zi. Djukanoviç kishte qenë kritik ndaj retorikës në rritje të idesë së ‘botës serbe’ dhe rrezikut që paraqet ajo për pjesën tjetër të Ballkanit, duke u ankuar për dështimin e Perëndimit për t’iu përgjigjur retorikës agresive të Vulin.
Milatovic hyri në politikë si Ministër i zhvillimit Ekonomik në një qeveri koalicioni të partive pro-serbe i fitoi zgjedhjet me mbështetjen e Andrija Mandic, një nga udhëheqësit e Frontit Demokratik pro-Serb të Malit të Zi. Humbja e Djukanovic i hap dyert edhe ndikimit fetar të Serbisë në Mal të Zi.
Vetë Milatovic e ka hedhur poshtë idenë e një bote serbe, por analistët në Malin e Zi thonë se fitorja e tij e mundëson atë. Gazetari malezez Seki Radoncic e sheh presidentin e ri si një “kukull” të Beogradit, duke theksuar se Milatovic përfaqëson ‘Serbinë e Madhe’.
Ndërsa “Serbia e Madhe” nuk u arrit të ndërtohej me forcë në vitet 1990, tani mund të arrihet me mjete hibride. Kapja e shtetit nga brenda shteteve të pavarura, në vend të një sulmi ushtarak nga jashtë, duket se është metoda e preferuar e Serbisë për të ndjekur ëndrrën e një bote serbe. Të paktën tani për tani. /albeu.com
Shënim:Hamza Karcic, profesor i asociuar në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Sarajevës, Bosnje Hercegovinë.