Projekti evropian është tani në mëshirën e motit

Nga Adam Tooze “Foreign Policy”

Përktheu: Alket Goce-Albeu.com

Tani për tani, e vërteta është se e ardhmja e Evropës varet nga moti. Në pamje të parë ky konstatim duket absurd. Por nëse dimri që po vjen është i ftohtë apo i ngrohtë, do të përcaktojë nëse Evropa do t’i kalojë 6 muajt e ardhshëm pa një presion të madh ekonomik, politik dhe social.

Ne gjendemi në këtë situatë sepse falë luftës së Rusinë në Ukrainë, Evropa ka humbur afro 1/3 e furnizimit të rregullt me ​​gaz. Pjesa më e madhe e Evropës, sidomos ajo në ish-bllokun sovjetik, mbështetej tek gazi rus për prodhimin e energjisë elektrike, ngrohjen e shtëpive, gatimin dhe për qëllime industriale.

Gjermania dhe Italia, përkatësisht ekonomia e parë dhe e tretë në Eurozonë, ishin gjithashtu shumë të varura nga gazi rus. Që nga pranvera e këtij vitit, ndërsa shkalla e konfliktit në Ukrainë bë shumë e qartë, Evropa po përgatitet për më të keqen.

Teksa po ble sa më shumë gaz rus që mundet, Evropa është përpjekur të nënshkruajë marrëveshje të reja për furnizimin me gaz, dhe të kompensojë mungesën e afërt duke blerë sasi të gazit natyror të lëngshëm, LNG. Gjatë verës, kur situata në Rusi u rëndua, dërgesat e gazit rus u ngadalësuan ndjeshëm.

Blerja e gazit nga Evropa vazhdoi me të njëjtin intensitet, duke i çuar çmimet e gazit në nivele të jashtëzakonshme, ekuivalente me rreth 400 dollarë për fuçi naftë ose më shumë. Për pasojë, tani depozitat e gazit janë aktualisht plot. Çmimet e gazit, të paktën për muajt e ardhshëm, kanë rënë.

Pasi nuk ka më hapësirë për sasi të tjera. Tani për tani është rritur shumë çmimi i gazit LNG-së, ndërsa transportuesit presin në det të hapur rritjen e kërkesës evropiane për të. Dhe kjo është vetëm çështje kohe. Pasi depozitat aktuale mjaftojnë për të mbuluar jo më shumë sesa disa muaj konsum.

Çmimet e gazit për vitin e ardhshëm, por edhe për të një të ardhme të parashikueshme mbeten shumë të larta, rreth 200 dollarë për fuçi, ose rreth 8 herë më shumë sesa nivelet e tyre para krizës. Pa asnjë perspektivë për rifillimin e dërgesave të gazit rus, perspektiva është e zymtë, përveç rastit kur moti do të jetë kryesisht i butë.

Moti ka pasur edhe më parë rëndësi në historinë moderne të Evropës. Një dimër tejet i ftohtë në vitet 1946-1947 gati e gjunjëzoi Evropën, dhe ndikoi në nxitjen e Uashingtonit për të nisur zbatimin e Planit Marshall. Por ajo ndodhi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur kontinenti ishte në gërmadha.

Për Evropën në dekadën e tretë të shekullit XXI-të, është tronditëse ta shohë sërish veten në mëshirën e motit. Sigurisht, siç thotë edhe shprehja e vjetër “Evropa është farkëtuar përmes krizave, dhe përbëhet kryesisht nga shuma e zgjidhjeve të gjetura për këto kriza”.

Por kur Jean Monnet, një nga arkitektët e integrimit evropian, e bëri këtë deklaratë të famshme në vitin 1976, vështirë se mund të priste që një i ftohtë i madh në dimër apo një dimër i ngrohtë në një mënyrë të pazakontë, mund ta ndryshojë historinë e kontinentit.

Në skenarin më të keq, nëse termometri bie ndjeshëm gjatë muajve të ardhshëm, disa vende evropiane mund të detyrohen të racionojnë konsumin e gazit. Por dhe me një mot të butë, perspektiva për vitin e ardhshëm është alarmante. Në kushtet kur çmimet e energjisë janë aktualisht rreth 5-fishi i niveleve të para-krizës, industritë që kërkojnë sasi të madhe energjie si ajo e plehrave kimikë dhe aluminit, po mbyllen në masë.

Nën presionin e krizës, po prishet edhe zinxhiri i furnizimit me energji në Evropë. Kompanitë e furnizimit me energji, gjenden në një situatë të vështirë midis kontratave me çmime fikse me klientët e tyre, dhe kostove të larta të gazit dhe energjisë elektrike. Dhe në këto kushte ose këto kompani i shkelin kontratat e tyre, ose kanë humbje të mëdha që i çojnë ato në prag të falimentimit, ose marrin nga qeveria një paketë shpëtimi.

Shtetëzimi i gjiganti energjetik gjerman UNIPER, u ka kushtuar miliarda euro taksapaguesve. Për të zvogëluar dëmin ndaj familjeve dhe bizneseve, qeveritë evropiane kanë miratuar një sërë programesh mbështetëse për të stabilizuar çmimet. Detajet e tyre janë shumë komplekse dhe të diskutueshme.

Gjermania ra dakord, me shumë ngurrim, me idenë e një çmimi maksimal për blerjen e gazit në Evropë. Siç e thekson qeveria e saj, kjo masë do të funksionojë vetëm nëse kërkesa nuk rritet diku tjetër. Për më tepër, është e qartë është se programet e ndihmës do të jenë shumë të kushtueshme.

Kështu paketa gjermane vlerësohet se kushton mbi 200 miliardë euro. Nëse llogariten edhe programet e mëparshme të mbështetjes financiare, atëherë fatura totale mund të shkojë në 5- 6 për qind të PBB-së së saj, një normë shumë e lartë edhe për një vend me kapacitete fiskale të mëdha si Gjermania.

Në vitin 2020, në muajt e parë të pandemisë së Covid -19, u duk sikur Evropa po dështonte  të arrinte një plan të përbashkët ndihme. Presidenti francez Emmanuel Macron foli për një “moment të së vërtetës ” për BE-në. Në fund u miratua një marrëveshje mbi huamarrjen e përbashkët për të financuar shpenzimet e qeverisë kombëtare.

Po ashtu, Evropa pati një qasje të koordinuar mbresëlënëse për blerjen dhe shpërndarjen e vaksinave. Por tani, më shumë se 8 muaj nga fillimi i sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, perspektivat për një marrëveshje të ngjashme për të përballuar krizën energjetike janë tejet  të pasigurta.

Aktualisht, marrëdhëniet midis Francës dhe Gjermanisë, janë në nivelin më të ulët në dekadat  fundit. Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Macron, kanë një marrëdhënie pune të ftohtë. Ata janë të ndarë mbi idenë e një tavani të çmimit të gazit, por edhe rreth propozimit për një gazsjellës që do të lidhë terminalet spanjolle dhe portugeze të gazit të lëngshëm, LNG, me pjesën tjetër të Evropës.

Madje Franca ka vendosur veton kundër këtij plani. Në shkurt, kur Gjermania shpalli paketën e saj të shumëpërfolur për shpenzimet e mbrojtjes, Parisi u trondit nga fakti që blerja e parë e madhe ishin avionët luftarakë F-35 të SHBA-së, në vend të një alternative evropiane.

Më e rëndësishmja, për të adresuar kostot e përshkallëzuara të krizës energjetike dhe trashëgimitë financiare të Covid, Parisi do të donte të ri-negocionte arkitekturën fiskale të Evropës, duke përfshirë çështjen e huamarrjes së përbashkët. Në fillim Scholz tha se ishte i hapur për ta diskutuar, por më pas Ministri i Financave, Christian Lindner, i partisë Demokratët e Lirë, dha një “Jo” të prerë.

Evropa është përfshirë në një luftë të vazhdueshme dhe të paparashikueshme, në të cilën Rusia e Putinit nuk duhet të lejohet ta fitojë. Furnizimi i saj energjitik është në dyshim. Në Gjermani, Itali dhe Poloni, kjo çështje është sa politike aq edhe diplomatike, teknike ose ekonomike.

Dhe kjo gjë e bën shumë më të vështirë zgjidhjen e krizës aktuale. Kur Monnet deklaroi se Evropa do të farkëtohej përmes krizave, ai supozoi jo vetëm që krizat kishin zgjidhje, por edhe se ata që do të përgatisnin përgjigjet, do të ishin nëpunësit e saj civilë dhe vendimmarrësit më elitarë.

Duke vepruar në mënyrë të pavarur nga politika kombëtare, ata do të përmbushnin siç duhet nevojat funksionale të momentit. Ky model i ndërtimit të institucioneve evropiane, ka qenë në dyshim që kur referendumet në Francë dhe Holandë të vitit 2005, e rrëzuan propozimin për një kushtetutë evropiane.

Kjo nuk do të thotë se është e pamundur ecja drejt një “bashkimi gjithnjë e më të ngushtë”. Viti 2020 vërtetoi të kundërtën. Por kjo kërkon konsensuse ndërqeveritare komplekse. Me afrimin e dimrit, shenjat për një marrëveshje të tillë në kushtet e krizës aktuale, nuk janë të mira.

Jo më kot qeveritë evropiane kanë kthyer sytë nga moti. Lajmi i vetëm i mirë, është se parashikimet afatgjata duken të favorshme. Ndoshta një mot i ngrohtë dhe i pazakontë këtë dimër, do të blejë kohën që u nevojitet politikanëve të Evropës. Megjithatë, nëse termometri bie, presioni mbi kryeqytetet e Evropës do të bëhet shumë i madh./albeu.com 

 


Shtuar 4.11.2022 16:34