Në projektbuxhetin 2026, Ministria e Financave parashikon shtim të të ardhurave me rreth 130 mln euro nga rritja e pagës minimale (nga 40 mijë lekë që është aktualisht në 50 mijë lekë) dhe zbatimi i projektligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore dhe doganore”.
Ministria e Financave, paralelisht me projektbuxhetin 2026, ka hartuar Paketën Tatimore 2026, e cila përfshin ndryshime që nga rritja nga 1 janari 2026 i pagës minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, dhe në të njëjtën masë do të rritet edhe paga maksimale.
Efekti pozitiv në të ardhura pritet të jetë rreth 9 mld lekë sipas relacionit të projektbuxhetit.
Zbatimi i projektligjit “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore dhe detyrimeve të pagueshme në doganë” pritet të sjellë në total rreth 3.7 mld lekë të ardhura shtesë.
Në relacion theksohet se për zbatimin e projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr. 92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’, i ndryshuar” nëpërmjet të cilit synohet kompensimi i fermerëve për TVSH-në në masën 10% efekti fiskal i këtij ndryshimi vlerësohet në rreth -1.5 mld lekë, si rezultat i uljes së të ardhurave nga TVSH për periudhën e zbatimit.
Nga zbatimi i projektligjit të rivlerësimit të pasurive të paluajtshme me tatim fitim 5% nga 15% që është aktualisht Ministria e Financave nuk ka parashikuar efektet të të ardhurat, pasi këto të ardhura neutralizohen nga tatimi mbi fitimin kapital që do të paguhet në momentin e shitjes së pasurisë së paluajtshme të rivlerësuar.
Paketa Tatimore për vitin 2026 përmban një sërë projektligjesh me ndikim të drejtpërdrejtë në të ardhura. Më poshtë paraqiten projektligjet kryesore:
Ky projektligj përcakton kushtet për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore të papaguara ndaj administratës tatimore qendrore, si në sistemin tatimor elektronik “e-Tax”, ashtu edhe jashtë tij, si dhe detyrimet e pagueshme në doganë.
Qëllimi i projektligjit është të lehtësojë subjektet që kanë detyrime të akumuluara, duke krijuar mundësi për rikthimin e tyre në përputhje me kërkesat ligjore dhe duke përmirësuar nivelin e arkëtimeve në buxhetin e shtetit.
Sipas parashikimeve për vitin 2026, zbatimi i këtij ligji pritet të sjellë në total rreth 3.7 miliardë lekë të ardhura.
Ky projektligj synon të krijojë mundësi për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme në vlerën e tregut, me qëllim nxitjen e formalizimit të tregut të pronave dhe rritjen e transparencës fiskale.
Përmes këtij procesi, pritet të realizohen të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit, si dhe të sigurohet një bazë më e drejtë tatimore për tatimin mbi fitimin nga shitja e pasurive të paluajtshme në të ardhmen.
Projektligji “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme”
Projektligji parashikon rivlerësimin e pasurive të paluajtshme, duke synuar krijimin e një kuadri ligjor të posaçëm për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme të individëve dhe personave juridikë.
Ky proces ofron një instrument ligjor dhe fiskal për përafrimin e vlerës së pronave me vlerën aktuale të tregut, në kushtet kur çmimet e pasurive të paluajtshme janë në rritje dhe po rishikohen çmimet e referencës.
Sipas projektligjit, norma e rivlerësimit është përcaktuar në 5% dhe do të zbatohet përgjatë gjithë vitit 2026.
Për vitin 2026 nuk janë parashikuar të ardhura shtesë në buxhetin e shtetit nga ky proces, pasi këto të ardhura neutralizohen nga tatimi mbi fitimin kapital që do të paguhet në momentin e shitjes së pasurisë së paluajtshme të rivlerësuar.
Ky projektligj ka si qëllim mbështetjen dhe lehtësimin e prodhuesve bujqësorë (fermerëve) përmes rishikimit të skemës së kompensimit të tyre.
Ndryshimet parashikojnë prezantimin e një norme dhe procedure të re kompensimi për prodhuesit bujqësorë, me synimin që fermeri të kompensohet me një normë prej 10% të tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) të paguar për blerjen e mallrave dhe shërbimeve që përdoren në funksion të aktiviteteve të tyre prodhuese bujqësore.
Ky ndryshim synon të rrisë likuiditetin e fermerëve, të nxisë formalizimin e sektorit bujqësor dhe të forcojë zinxhirin e furnizimit në tregun vendas.
Efekti fiskal i këtij ndryshimi vlerësohet në rreth -1.5 miliardë lekë, si rezultat i uljes së të ardhurave nga TVSH për periudhën e zbatimit.
Rritja e pagës minimale dhe maksimale nga janari 2026
Nga 1 janari 2026 do të rritet paga minimale nga 40 mijë lekë në 50 mijë lekë, dhe në të njëjtën masë do të rritet edhe paga maksimale.
Bazuar në të dhënat e administratës tatimore, efekti pozitiv në të ardhura pritet të jetë rreth 9 miliardë lekë, nga të cilat rreth 7.6 miliardë lekë do të vijnë nga kontributet shoqërore dhe rreth 1.4 miliardë lekë nga kontributet shëndetësore./MONITOR
