PROFIL/ Dritan Abazoviç, nga Ulqini drejt majave të pushtetit në Malin e Zi

Zgjedhjet e vitit 2020 në Mal të Zi ishin hapi më i suksesshëm në karrierën politike të Dritan Abazoviqit. Dje, Abazoviq me Lëvizjen e tij Qytetare, URA, i fitoi zgjedhjet lokale në Ulqin, vendlindjen e tij. Brenda pak ditësh, zëvendëskryeministri i Malit të Zi mund të ngjitet edhe më lart.

Dritan Abazoviq është pretendenti kryesor për t’u bërë kryeministër i Malit të Zi, kur në Podgoricë pritet formimi i qeverisë së re. Presidenti malazez, Milo Gjukanoviq ia dha mandatin për formimin e qeverisë së re “vagabondit”, siç e kishte quajtur dikur politikanin nga Ulqini, kur ai ishte prej deputetëve më të zëshëm kundër qeverisë së tij në parlamentin e Malit të Zi.

I mandatuari për formimin e qeverisë së re tha dje gjatë zgjedhjeve në komunat Ulqin dhe Beran se pret që nga sot të ketë progres për formimin e qeverisë së pakicës, e cila ai beson se mund të formohet brenda pak ditësh.

“Për sa i përket mandatarit, kryeministri është gati”, tha Abazoviq disa orë para se të festonte me fishekzjarre e këngë shqipe për fitoren në Ulqin, aty ku u lind dhe u rrit.

Politikani të cilit nuk i pëlqen nacionalizmi, në Kosovë ende nuk njihet shumë; në Shqipëri edhe më pak. Por në Mal të Zi 36-vjeçari që kishte doktoruar për shkenca politike në Sarajevë, tashmë është në mesin e figurave kryesore politike, dhe jo vetëm për vendin që e ka zënë në hierarki.

Përpara se të niste vrapin drejt majës së shtetit, Abazoviq ishte aktivist qytetar e bashkëpunëtor i gjatë i organizatave joqeveritare në fushën e të drejtave të njeriut. Ai angazhohej në projekte që kishin të bënin me promovimin e multikulturalizmit në zonat e ish-Jugosllavisë pas luftërave.

Më pas ai kishte shkuar në vendin e multikulturalizmit. Kishte banuar për pak kohë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa merrte pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Uashington D.C.

Në vitin 2010, ai e kishte botuar librin e tij të parë “Kultura kozmopolitane dhe drejtësia globale”. Nga po ai vit, Abazoviq kishte punuar si mësues në shkollën e mesme në Ulqin, duke dhënë mësim në lëndën sociologji e kulturës, komunikimit dhe historisë së fesë.

Abazoviq, i cili flet gjuhën shqipe, serbo-kroate dhe angleze, ishte një nga themeluesit e partisë politike social-liberale “Mali i Zi Pozitiv” në vitin 2012. Në zgjedhjet parlamentare malazeze të vitit 2012, ai ishte bërë deputeti më i ri në Parlament.

Në vitin 2014, pas një ndarjeje në parti, Abazoviq ishte larguar nga aty, duke shërbyer si deputet i pavarur përpara se t’i bashkohej Lëvizjes URA, të sapothemeluar në 2015, të cilën e udhëhoqi me një sukses të jashtëzakonshëm në vitet pasuese.

“Ne e dinim se do ta ndryshonim lojën. Kemi pritur ndryshimin e qeverisë për 30 vjet. Shumë njerëz nuk e kanë besuar, por tani është realitet. E thamë se do ta shkruanim historinë dhe e shkruam. Mafia nuk do të sundojë më ne Malin e Zi”, pati thënë Abazoviq pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2020, ku fituan 4 mandate, të cilat ishin vendimtare për formimin e qeverisë së re.

Qeveria aktuale e Malit të Zi ishte votuar më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik pro-serb, Lëvizjes URA dhe Demokratëve, duke e lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviqit në opozitë pas tri dekadash.

Por këtë vit, Abazoviq kërkoi rrëzimin e qeverisë ku bën pjesë edhe vet.

Lëvizja Qytetare URA dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që kishin garuar në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të mbajtura në vitin 2020 në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, kanë propozuar formimin e një qeverie të pakicës, si model për tejkalimin e krizës politike në këtë shtet.

Me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviq, e cila i ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Abazoviqi duket se do ta sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiq.

Propozimin e Abazoviqit për një qeveri pro-europiane, e kanë mbështetur edhe lideri i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe ai i Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”, Fatmir Xheka. Të njëjtën e ka bërë edhe Ervin Ibrahimoviq, lideri i Partisë Boshnjake./Gazeta Express