Procesi ndaj Ardian Çapjas, dëshmon i penduari i drejtësisë: Njohja me Gentian Beqirin dhe porosia e ekzekutimit

I penduari Ervis Bardhi ka dëshmuar në procesin ndaj Ardian Capjes e të tjerëve të akuzuar për vrasjen e Gentian e Nezir Beqirit në vitin 2012.

Në seancë, Bardhi dha detaje nga mënyra se si ishte njohur me Gentian Beqirin në qelitë e burgut të Peqinit, në krijimin e miqësisë me të dhe vizitat e herëpashershme në shtëpinë e Beqirit, marrjen e porosisë për ekzekutimin e tij nga Ardian e Florenc Capja deri në ditën e ekzekutimit.

Deklarimet e tij para gjykatës Ervis Bardhi e nisi duke i kërkuar ndjesë nënës së Gentian Beqirit. Ai ka theksuar se Etjen Canin dhe Olsi Lekun i ka njohur pasi i kishte cuna të lagjes. Ndërsa për Gentian Beqirin e ka njohur gjatë kohës kur ai ishte arrestuar në 2010 kur ishte duke shlyer dënimin me 8 muaj burg për armë mbajte pa leje. I penduari thekson se nuk e njihte nga afër Gentianin por që e ka takuar nëpërmjet personave të tjerë që ndodheshin në burgun e Peqinit.

Ardjan Çapja, Florenc Çapja, Ervis Bardhi, Etien Cani, Klajdi Dokolli dhe Olsi Leku akuzohen nga Prokuroria e Posaçme se në vitin 2012 kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke ekzekutuar në shenjë hakmarrje brenda shtëpisë së tyre, Gentian Beqirin dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Ngjarja që tronditi opinionin publik ndodhi nën hundën e Policisë, ndërkohë që Çapjan nuk e pranuan asnjëherë të jenë ata autorët e asaj ngjarjeje të rëndë. Në këtë çështje, pretendohet se personi që ka marrë pjesë direkt në vrasje, Ervis Bardhi, është penduar për krimin e kryer duke vendosur të bashkëpunojë dhe të flasë, duke treguar gjithçka ka ndodhur ditën e vrasjes.

Si pasojë e dëshmisë së tij dhe provave të mbledhura, fillimisht Prokuroria arrestoi Ardjan Çapjan dhe tre persona të tjerë në Elbasan. Ndërsa në kërkim u shpallën Jorgo Leku dhe Florenc Çapja, të cilët tashmë gjenden në vendet respektive ku jetojnë Athinë dhe në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Së fundmi Shqipërisë i është mohuar kërkesa për ekstradimin e Florenc Çapjas i cili ndodhet në Dubai. Raportohet se gruaja e tij pagoi rreth 55 mijë euro për ta liruar nga qelia me kusht./abcnews.al