Procesi i Berlinit, Scholz: Normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, kërkoi përshpejtimin e procesit të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë fjalimit të tij hapës në samitin e Procesit të Berlinit.

“Është koha të tejkalohen konfliktet rajonale që kanë vazhduar shumë gjatë, konflikte që ju ndajnë juve dhe i mbajnë vendet tuaja prapa në rrugën evropiane. Procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë në veçanti duhet të përshpejtohet, kështu që ejani ta bëjmë këtë”, tha Scholz.

Ai shtoi se Procesi i Berlinit synon edhe përshpejtimin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.

“Sot jemi të bindur se procesi i Berlinit, jo vetëm që do të ndihmojë për shfrytëzimin e potencialit të plotë të bashkëpunimit rajonal, por do ta përshpejtojë anëtarësimin në BE të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor”, theksoi Scholz, duke shtuar se nënshkrimi i tri marrëveshjeve sot është një hap i rëndësishëm drejt këtij qëllimi.

Liderë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ata të BE-së, me ftesë të kancelarit Sholz kanë udhëtuar drejt Berlinit në kuadër të të ashtuquajturit Procesi i Berlinit.

Më 3 nëntor, liderët e Kosovës, Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë, pritet të nënshkruajnë tri marrëveshje.

Marrëveshjet do të jenë për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale, njoftuan zyrtarë të Qeverisë gjermane.

Kosovën në këtë samit po e përfaqëson kryeministri, Albin Kurti, ndërsa Serbinë kryeministrja Ana Bërnabiq.

Një zyrtar qeveritar në Berlin i tha Reuters-it se këto janë lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit, ku edhe pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave ndëretnike të viteve ‘90, tensionet nuk ka përfunduar.

Siç shpjegoi ai, qëllimi është që Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.

Pas samitit, kancelari gjerman do të mbajë konferencë për media./REL

Shtuar 3.11.2022 11:02