Kompania “5D”, e njohur edhe si “5 drejtorët e Erion Veliajt”, ka përfituar më së paku 3.5 milionë euro pa garë në tre tendera të zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, gjatë periudhës 2020-2021. Kompania ‘5D”, e cila në atë kohë njihej me emrin “VAS Konstruksion” ka qenë konkurente e vetme në njërën prej këtyre procedurave, ndërsa në dy të tjerat janë skualifikuar të gjithë konkurentët, para se kontrata t’i dorëzohej shoqërisë që fshihet interesat e drejtorëve të rëndësishëm të Bashkisë së Tiranës.
Në Tetor të vitit 2020, kompania “VAS Konstruksion” është pjesë e bashkimit të operatorëve që u shpallën fitues të tenderit të zhvilluar nga OSSH me objekt “Ndërtimi i kabinave të reja dhe rikonstruksion rrjeti i Tensionit të Ulët, në Lushnje”, me fond limit 134.786.902 lekë të reja.
Në këtë procedurë mori pjesë edhe një kompani tjetër, me ofertë më të ulët, por ajo u skualifikua nga gara.
Ndërsa një operator i tretë nuk paraqiti ofertë ekonomike.Dy muaj më pas, në Dhjetor 2020, “VAS Konstruksion” është fitues në tenderin “Rikonstruksion rrjeti dhe kabinash elektrike në Rrogozhinë”, me ofertë rreth 55 milionë lekë të reja.
Në këtë procedurë, mori pjesë edhe një shoqëri tjetër, e cila nuk paraqiti ofertë ekonomike dhe rrjedimisht u skualifikua.
Në vijim, në Prill 2021, “VAS Konstruksion” u shpall fitues në tenderin e zhvilluar nga Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për “Rikonstruksion kabllash e kabinash në Elbasan”, me fond limit 179.626.163 lekë të reja.
Në këtë procedurë, “Vas Konstruksion” ose siç njihet tashmë, “5D” ishte konkurente e vetme, pa asnjë pjesëmarrësh tjetër.
Në listën e tenderave me “flamuj të kuq” të fituar nga “5D” jashtë Bashkisë së Tiranës, gjendet edhe një procedurë me fond 15 milionë lekë të reja, të zhvilluar nga Ujësjellësi i Durrësit, për “Rehabilitimin e linjës në Maminas”, Shijak.
Në këtë tender morën pjesë 6 kompani, por tre prej tyre u skualifikuan, për t’i lënë vendin e fituesit shoqërisë së Mariglen Qatos e Redi Mollës.