Pritet reagimi i SPAK/ Rikthehet ‘anonimi’ Nesti Angoni që denoncoi Erion Veliajn, kallëzon edhe deputeten e PD, Albana Vokshi

Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi është denoncuar në Prokurorinë e Posaçme në ditët e para të shtatorit për korrupsion dhe paratë e fituara nga kjo veprimtari e jashtëligjshme, nga anonimi “Nesti Angoni”.

Kështu thuhet në denoncimin e adresuar në Shqiptarja.com, të cilit i janë bashkangjitur dhe dokumentet e kallëzimit të depozituar në SPAK.

Në denoncimin e mbërritur në redaksinë tonë thuhet se kallëzimi, me objekt deputeten Vokshi, bashkëjetuesin e saj Arian Tartari, si dhe motrën Mimoza Vokshi, përmban disa raste të dyshuara korrupsioni dhe gjithashtu skemën, e cila përdorej për të “pastruar” paratë e fituara nëpërmjet veprimtarive korruptive të kryera nga ligjvënësja demokrate dhe familjarët e saj.

Sipas asaj që thuhet në pretendimet e adresuara në redaksinë tonë, thuhet se në këtë kallëzim denoncohen për abuzime me koncesionet në sektorin e naftës, por edhe me disa privatizime të kryera në interes të të kallëzuarve, në kohën kur Drejtoreshë e Privatizimeve në Ministrinë e Ekonomisë ishte Mimoza Vokshi, motra e deputetes demokrate.


Shtuar 21.09.2025 22:54