Eksperti Neritan Sejamini ka komentuar dorëheqjen e Lulzim Bashës nga posti i kreut të PD-së.
I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Sejamini është shprehur se qëndrimi i Bashës 9 vjet kryetar i PD, pa asnjë fitore, është tipar i vendeve afrikane dhe jo i vendeve perëndimore.
Sejamini tha se largimi i Bashës, theu mitin se në pushtet mund të vish edhe “qyl”, pra duke mos bërë asgjë dhe duke pritur që kundërshtari të bjerë vetë.
“Basha ka ndejtur shumë gjatë. Jetëgjatësi të tilla pa ardhur asnjë ditë në pushtet, janë tipike të vendeve afrikane. Nuk ndodh në vende perëndimore. Basha theu një mit, të cilin e kishin kthyer në ligjësi, që mjaft të mbash partinë se pushteti do të bjerë në prehër. Ideja ka qenë le të mos bëjmë asgjë, se pushteti bie vetë pas dy palë zgjedhjeve.
Filluan edhe legjenda që Rama do ta lërë vetë se është mërzitur. Ishte krijuar mentaliteti i ardhjes në pushtet qyl.
Ka qenë kohë dhe mundësi e humbur jo vetëm për PD, që mund të ishte bërë partia e parë moderne, por ka qenë kohë e humbur edhe për Shqipërinë. Mjafton të shohësh pushtetin e Ramës, pushtet grabitqar. Ky pushtet ka ardhur për shkak të dobësisë së opozitës.
Si shoqëri, problemi kryesor që kemi, nuk kemi asnjë lloj kontrolli mbi pushtetin e zotit Rama, që kontrollon të gjithë Shqipërinë, ekonominë, median. Ky është konkluzioni.
Basha nuk kuptoi një gjë në vitin 2013, duhet të transformonte partinë në mënyrë rrënjësore. Zgjodhi të imitojë zotin Berisha, me idenë që pushteti do të vijë vetë”, tha Sejamini.