PRIMARET/ Akuzon një prej kandidatëve në Fier: Janë të manipuluara, favorizohen kandidatë

Edhe pse nuk e vë aspak në dyshim sinqeritetin e doktor Berishës se gara për primaret duhet të jetë e drejtë, e hapur dhe e pastër, njëri prej 5 kandidatëve të primareve në Fier, avokati Ermal Hamataj deklaron se ka konstatuar se ky proces nuk është i tillë.

Të paktën në Fier, Hamataj e ka cilësuar procesin as të drejtë, as të hapur dhe as të pastër. Sipas tij, këto zgjedhje kanë kandidat të favorizuar.

Hamataj ka shtuar se nuk tërhiqet nga gara, e do ta ndjek këtë proces, madje nuk do të nguroj ta denoncoj edhe në strukturat e PD në qendër.

“Në asnjë moment nuk dyshoj te sinqeriteti i Berishës. Por a po ndodh e njëjta gjë në Fier, a janë drejtuesit të drejtë dhe të lirë? Përgjigjja është jo. Mund të jetë edhe jashtë vullnetit të Berishës. Mirë do ishte që secili nga ne të marrë atë që i takon sipas shijes që ka lënë te simpatizantët, dhe askush nuk duhet të ishte ‘kamalec’. Është favorizuar kandidati i caktuar, ditët e fundit kanë dalë edhe hapur në favor të tij. Nëse anëtarët e ndjenjë veten aq të paaftë sa të mos vendosin dot një gjë elementare, le të bëjnë siç kanë bërë gjithmonë. Nesër vetëm ata duhet ta bëjnë zgjedhjen, çdo zgjedhje tjetër do jetë e gabuar. Ne e dinim që tentativa mund të kishte për favorizim, por kjo nuk e përcakton fituesin”- shprehet avokati Ermal Hamataj.

Në garë për primaret e Pd në Fier janë 5 kandidatë, ndërkohe që votimet zhvillon këtë të diel.