Prezantohet Raporti i KE-së për Shqipërinë, Balluku: Vlerësimi tepër i mirë, vihen në dukje arritjet përmes reformave

Ditën e sotme, në ambientet e kryeministrisë është prezantuar Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë 2023.

Zëvendësministrja Belinda Balluku shoqërohej nga i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të BE-së, Luigi Soreca, gjatë prezantimit.

Gjatë fjalës së saj, Balluku deklaroi se raporti për Shqipërinë  është më pozitivi dhe se në të theksohet ecuria e mirë e reformave të ndërmarra nga qeveria.

Po ashtu ajo shton se vihen në dukje edhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit.

Balluku: Me kënaqësi të madhe konstatojmë se ky raporti është më pozitiv i hartuar ndonjëherë për vendin tonë dhe që përfaqëson në mënyrë të drejtpërdrejtë ecurinë shumë të mirë të reformave të thella që ne kemi ndërmarrë dhe rezultatet e tyre konkrete në forcimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit. Ky raport është një vlerësim real, i drejtë dhe krejtësisht i pavarur i asaj që Shqipëria ka arritur përmes reformave ligjore, institucionale dhe ekonomike, efektet e të cilave janë në sytë e qytetarëve tanë por që marrin një rëndësi edhe më të madhe kur certifikohen nga BE që së bashku me SHBA, janë partnerët tanë kryesorë strategjikë. Nga korriku i vitit 2022 dhe deri më tani, Shqipëria dhe

Komisioni Evropian kanë zhvilluar fazën e parë përgatitore pas çeljes së negociatave, atë të shqyrtimit analitik të BE-së. Sikurse evidentohet edhe në raport, nën koordinimin e krye negociatores dhe strukturave të reja të reformuara për negociatat e BE-së, institucionet shqiptare kanë mobilizuar burime të konsiderueshme për t’u angazhuar aktivisht në procesin e shqyrtimit dhe për t’u përgatitur për hapat e ardhshme të negociatave të anëtarësimit./albeu.com 


Shtuar 9.11.2023 11:43