Prezantohet krijimi i Operatorit të Ujit/ Rama: Fragmentimi i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje, ishte katastrofë e vërtetë

Këtë të mërkurë, kryeministri i vendit Edi Rama, po prezanton Operatorin Kombëtar të Ujit.

Kryeministri Edi Rama dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, janë të pranishëm në prezantimin e krijimit të Operatorit të Ujit.

“Fragmentimi në emër të decentralizimit i sistemit të shpërndarjes së ujit në 58 ndërmarrje ishte një katastrofë e vërtetë”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama, në prezantimin e Operatorit Kombëtar të Ujit, tha se aktualisht kemi një panoramë krejtësisht ndryshe të furnizimit 24 orë me ujë, nga 4 zona që ishin në 2013.

Gjithashtu, Rama tha se duhet më shumë punë, duke pasur parasysh edhe sfidën që vendi ka para, në kushtet kur kërkon të shkëlqejë në turizëm. Kreu i qeverisë kritikoi edhe pushtetin vendor.

“Ndërkohë që paralelisht ne nga ana jonë, kemi bërë investime masive. Nga 4 zona që furnizoheshim me ujë 24 orë në 2013 dhe me humbje në rrjet që shkonin afro 70%, kemi një panoramë tërësisht ndryshe, por është ndryshe në raport me atë që ishte, jo në raport me sfidën që kemi, aq më tepër në kushtet kur duam të shkëlqejmë në turizëm dhe kur volumi i kërkesës për ujë, posaçërisht në sezonin e pikut turistik rritet në mënyrë marramendëse, ndërkohë që kapaciteti për furnizim është tërësisht i pamjaftueshëm dhe niveli i papërgjegjshmërisë në pushtetin vendor është i frikshëm”, tha Rama.


Shtuar 3.09.2025 11:36