Prezantohet investimi/ Belinda Balluku: Parku eolik i Tropojës, një transformim drejt një ekonomie të qëndrueshme

Parku me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP, është “dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë”.

Kryeministri Edi Rama, së bashku me zëvendës kryeministren, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndodhen në aktivitetin që po mbahet sa i takon parkut eolik të Tropojës.

Në konferencën për shtyp, Balluku theksoi se ky park përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt transformimit të sektorit energjetik dhe ndërtimit të një ekonomie të qëndrueshme.

Ajo u shpreh se parku eolik i Tropojës nuk është thjesht një investim energjetik, por një dëshmi konkrete e ndryshimit që po përjeton Shqipëria.

Sipas saj, sektori energjetik shqiptar po hyn në një fazë të re zhvillimi dhe vendi nuk është më i varur nga një burim i vetëm energjie.

“Po ecim drejt një ekonomie të qëndrueshme, ku tranzicioni energjetik nuk është më vetëm një ide apo premtim, por një realitet që po merr formë çdo ditë. Kjo skemë e re energjetike bazohet në zhvillimin e burimeve alternative”, tha Balluku.

Ajo theksoi se investimet e huaja janë tregues i qartë i besimit strategjik ndaj Shqipërisë, duke bërë të ditur se aktualisht janë në proces rreth 1.5 miliardë euro investime private në sektorin energjetik.

Parku me kapacitet të pritshëm prej 600 MW, që po zhvillohet nga kompania amerikane CWP është “dëshmi se Shqipëria po ecën drejt një të ardhmeje energjetike të fortë dhe të qëndrueshme”.

Kujtojmë se në Forumin e Investimeve BE-Ballkani Perëndimor që u mbajt në Tiranë, kompania e mirënjohur CWP Europe nënshkroi një Deklaratë të Përbashkët Mbështetjeje për ndërtimin e Parkut të Erës në Tropojë, një nga projektet më të mëdha të energjisë së rinovueshme në Shqipëri.

Nënshkrimi u zhvillua në prani të kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila theksoi rëndësinë e investimeve të reja në energjinë e pastër për të ulur koston e energjisë dhe për të forcuar pavarësinë energjetike të rajonit.

“Sot po nënshkruani disa investime që do ta bëjnë pikërisht këtë. Nga prodhimi i energjisë së pastër në të gjashtë partnerët e Ballkanit Perëndimor. Te ruajtja e energjisë në Mal të Zi. Ato do të ulin koston e energjisë elektrike. Dhe gjithashtu do të kontribuojnë në pavarësinë tonë kolektive energjetike. Ju po ndërtoni një shtyllë të re energjetike jo vetëm për Ballkanin Perëndimor. Por për të gjithë Evropën”, tha shefja e BE-së.

Projekti i Tropoja Wind Farm, me kapacitet 600 MW, synon të rrisë ndjeshëm prodhimin vendas të energjisë së pastër dhe të mbështesë strategjinë kombëtare të tranzicionit drejt burimeve të qëndrueshme.

Ky investim, do të ndihmojë Shqipërinë të shfrytëzojë potencialin e saj të madh natyror për energjinë e erës dhe të forcojë bashkëpunimin rajonal në kuadër të transformimit të gjelbër të Ballkanit Perëndimor.

“Me Tropojën dhe Monteçevën, ne po zhbllokojmë potencialin e madh të energjisë së rinovueshme të rajonit dhe po forcojmë bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ne e vlerësojmë shumë mbështetjen e Komisionit Evropian, Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve dhe Agjencisë së Promovimit të Investimeve të Malit të Zi në avancimin e këtij vizioni të përbashkët për një të ardhme energjitike të pastër, ekonomikisht konkurruese dhe të sigurt të rajonit dhe të Evropës në tërësi”, tha Dimitar Enchev, Drejtor Ekzekutiv në CWP Europe.

Një park gjigant ere në zonën e Tropojës pritet të vendoset në qendër të strategjisë kombëtare për energjinë e gjelbër, një investim që qeveria e cilëson si “një prej më të mëdhenjve në kontinent”.

Lajmin e bëri publik më 9 shtator zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë konferencës së ambasadorëve “Diplo 2025”.

“Në muajt në vijim po përgatitemi për një nga projektet më të mëdha eolike në kontinent. Parku i erës në Tropojë, i financuar nga një prej kompanive më të mëdha amerikane, do t’i shtojë kurorës sonë energjetike një tjetër komponent të gjelbër”, deklaroi Balluku.

 


Shtuar 12.01.2026 10:59