Prezantohej si zyrtar i lartë dhe premtonte tendera, arrestohet 39-vjeçari që “zhvaste” biznesmenët

Një 39-vjeçar është arrestuar në Tiranë për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, teksa ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm, duke u prezantuar si zyrtar i lartë në institucione, dhe në këmbim të shumave monetare, iu ka premtuar atyre tendera të ndryshëm.

Njoftimi i policisë:

DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “The eye”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Përvetësoi shuma të konsiderueshme parash, nëpërmjet mashtrimit, duke u premtuar tendera, biznesmenëve të ndryshëm, vihet në pranga një 39-vjeçar.

Sekuestrohen 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme, të cilat i arrestuari i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale të DVP Tiranë dhe Komisariatin e Policisë Rinas, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e krimeve ekonomike, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “The eye”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit I. A. (K)., 39 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mashtrimi” me pasoja të rënda, i dënuar më parë për të njëjtën veprimtari kriminale.

Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, nëpërmjet mashtrimit, ka përvetësuar shuma të konsiderueshme parash, nga biznesmenë të ndryshëm, duke u prezantuar si zyrtar i lartë në institucione, dhe në këmbim të shumave monetare, iu ka premtuar atyre tendera të ndryshëm.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 aparate celulare, kontrata dhe dokumente të ndryshme të cilat autori i dyshuar i përdorte për skemën e tij të mashtrimit.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 11.08.2023 09:53