Prezantohej si gazetar i Piranjave, ky është 36-vjeçari që i mori 8 mijë euro një personi

Personi që shihni në foto, është Glarurtin Kaçi, 36-vjeç, i cili hiqej si gazetar i emisionit investigativ “Piranja”, për të mashtruar qytetarët dhe për të përfituar para.

Policia e Tiranës e arrestoi pasi ai akuzohet se i mori 8 mijë euro një qytetari, duke e kërcënuar se do të publikonte një video të sajuar nëse nuk paguante shumën e kërkuar.

Rasti u denoncua nga shtetasi L. B., i cili tha se 36-vjeçari e kontaktoi duke pretenduar se dispononte materiale “komprometuese” që do të transmetoheshin në media.

Njoftimi:

“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, kapën dhe ndaluan shtetasin G. K., 36-vjeç, pasi denoncuesi L. B. deklaroi se ky shtetas, duke u prezantuar si staf i një emisioni investigativ, i ka marrë shumën prej 8000 euro, për të mos publikuar një video të sajuar prej tij”, thuhet në njoftimin zyrtar.


Shtuar 19.11.2025 15:55