Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur me dyshimet e Partisë Demokratike se mungojnë 130 mijë fletë votimi të papërdorura në zgjedhjet e 11 majit. Në një postim në rrjetet sociale, Meta shprehet se 130 mijë fletë votimi ”të humbura” janë si 130 milion eurot e ”avulluara” të inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston. Ai shton se në këtë vend vetëm plehrat nuk digjen, por “digjet” vota.
“130 mijë fletë votimi ”të humbura” si 130 milion eurot e ”avulluara” të inceneratorit të Tiranës që nuk ekziston. Në Narkoshtetin e Edi Ramës mund të ndodhin krime intelektuale kaq të sofistikuara: Humbin votat, siç zhduken paratë e taksapaguesve. Asnjë përgjegjësi, asnjë transparencë.
Vjedhin 130 milion euro për një incenerator që nuk e ndërtuan kurrë — tani zhdukin edhe 130 mijë fletë votimj, si të ishin mbetje për djegie. Në këtë vend ku vetëm plehrat nuk digjen por “digjet” vota, atëherë bashkë me të është djegur demokracia, shteti i së drejtës dhe e ardhmja e vendit. Kurrë nuk mund të pranohet ky terrorizëm elektoral”, shkruan Meta.