Partia Demokratike denoncoi sot një rast të blerjes së votës në Lezhë, për të cilën tha se një grua është arrestuar nga policia.
Sipas kandidatit për deputet Gjin Gjoni, një shtetase është kapur në flagrancë duke blerë vota për PS-në, por megjithëse është ndaluar, uniformat blu të Lezhës nuk kanë dhënë informacion zyrtar për ngjarjen.
“Jam informuar nga qytetarët se nga Policia e Shtetit është ndaluar nje shtetase në Balldre të Lezhës pasi dyshohet është kapur në flagrancë duke blerë vota për llogari të Partisë Socialiste. Qytetarja me iniciale M.D punonjëse në një lokal në Balldre është denoncuar dhe është ndaluar në flagrancë, por Policia e Lezhës nuk jep informacion zyrtar për ngjarjen për shkak të presionit me kodin e Manualit 184 më të cilin po përballet”, shkruante sot kandidati i PD-së në faqen e tij në Facebook.
Lidhur me këtë rast në mbrëmje ka reaguar Policia e Lezhës, e cila ka sqaruar se ngjarja në fakt nuk ka të bëjë me zgjedhjet, por një debat mes qiramarrëses dhe pronares së një lokali në Balldre të Lezhës.
“Lokali ku ka ndodhur konflikti është në pronësi të shtetases M. D., 62 vjeçe, banuese në Balldre, dhe prej disa kohësh ia kishte dhënë me qera shtetases D. N., 36 vjeçe, banuese në Balldre. Të përfshirë në konflikt fizikisht ditën e sotme janë vetë marrësja me qera e lokalit shtetasja D. N., me shtetasen N. N., 32 vjeçe (vajza e shtetases M. D., pronares së lokalit), dhe arsyeja e konfliktit është për motive të dobëta, në lidhje me përdorimin e pajisjeve të lokalit”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Sipas njoftimit zyrtar “Shtetasja D. N. është dërguar në spital, dhe pas marrjes së ndihmës mjekësore është risjellë në ambientet e policisë për vazhdimin e procedurave. Gjithashtu, në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes (dëshmitarë) janë shoqëruar shtetasja M. D. edhe dy shtetas të tjerë banues në Balldre, të cilët kanë qenë të pranishëm në lokal kur ka ndodhur konflikti”.