Nga Andrea Marinelli & Guido Olimpio “Corriere Della Sera”
Përktheu: Alket Goce-Albeu.com
Në shtator, raportet e para nga shërbimet sekrete të SHBA-së, folën për ekzistencën e kontakteve midis Rusisë dhe Koresë së Veriut për të arritur një marrëveshje për furnizimin e ushtrisë rusë me armë nga “monarkia e kuqe”. Tani gjërat kanë përparuar në një stad tjetër.
Burimet nga shërbimet e inteligjencës amerikane zbuluan për CNN se Pheniani ka filluar të dërgojë predha të rënda të artilerisë dhe raketa për forcat ruse, duke pretenduar zyrtarisht se i dërgon ato në shtetet e Lindjes së Mesme apo ato afrikane.
Sipas Uashingtonit – që nuk ka dhënë ende prova konkrete për këtë pretendim dhe as detaje për sasitë – ushtria ruse është vazhdimisht në kërkim të municioneve për armët e saj. Ajo konsumon një sasi të madhe në luftën në Ukrainë, dhe industria e saj e ka të vështirë, ashtu si ajo perëndimore, që të ruajë ritmin e prodhimit.
Nga ana tjetër, arsenali i diktatorit aziatik është i mirë-pajisur. pasi topat, raketat dhe raketat tokë-tokë përfaqësojnë një nga komponentët kryesorë në duelin e tij në Korenë e Jugut, gjë që ai ia kujton çdo ditë ai kujton komunitetin ndërkombëtar me disa të shtëna të vërteta.
Disa ekspertë kanë shprehur rezerva mbi cilësinë e municioneve koreano-veriore, dyshime në lidhje me studimin e testeve gjatë të cilave dështoi performanca e armëve kryesore. Megjithatë, edhe sasia mund të luajë një rol të caktuar në frontin e luftës.
Vëzhgimi taktik shoqëron analizat strategjike të ekspertëve, me “vizatime” të përgjithshme panoramës në terren, sepse variablat janë gjithmonë të shumta. Tani do të ndalemi tek analizat e institutit britanik RUSI dhe ish-gjeneralit australian Mick Ryan.
Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin do të vazhdojë me presionin e tij maksimal ndaj civilëve ukrainasve përmes bombardimeve masive. Po ashtu do të vazhdojë përpjekjet për ta përçarë aleancën perëndimore, duke krijuar konflikte midis qeverive dhe opinionit publik për vazhdimin e ndihmës ndaj Kievit.
Të mërkurën, Bashkimi Evropian – së bashku me partnerët e tjerë – tha se ishte gati t’u garantonte ukrainasve energji elektrike, duke akorduar ndihmën e parë prej 25 milionë eurosh. Është e vetëkuptueshme që Kremlini do të propagandojë me të madhe se faturat për qytetarët evropianë do të jenë edhe më të larta, pikërisht sepse BE-ja duhet të mbështesë Volodymyr Zelensky-n.
Dimri që i pengon lëvizjet e Kievit, do të jetë po ashtu i vështirë edhe për rusët, të cilët po hasin gjithnjë e më shumë vështirësi me logjistikën. Pushtuesit do të fokusohen tek një sërë elementësh:ta detyrojnë kundërshtarin të merret me frontin e brendshëm, duke e mbajtur atë të zënë në kufirin me Bjellorusinë dhe në sektorë të tjerë, duke u përballur me batalionet e mobilizuara së fundmi.
Pavarësisht nivelit të rezervistëve, është e rëndësishme që ata të dërgohen në vijën e parë të frontit, ndoshta për të nisur një ofensivë në pranverën e vitit që vjen, ose në çdo rast për ta penguar armikun të bëjë të njëjtën gjë. Nga ana tjetër, ukrainasit shpresojnë të shfrytëzojnë vështirësitë organizative të Moskës.
Ata do të përpiqen të ruajnë shkathtësinë e tyre në frontin e betejës, dhe të përshtatin taktikat e tyre sipas nevojës, teksa do të vazhdojnë me aksionet e befasishme prapa linjave të armikut, të cilat u janë besuar partizanëve dhe forcave speciale.
Objektiv kryesor mbetet strategjia e gërryerjes, si nga pikëpamja ushtarake ashtu dhe ajo e moralit të trupave ruse. Megjithatë, Ukraina ka nevojë për forca të freskëta, oficerë dhe nënoficerë, dhe do të përdorë mijëra ushtarët që janë trajnuar tashmë nga partnerët e NATO-s për të krijuar njësi të reja.
Dhe pushtuesit, edhe pse janë të inkuadruar në një strukturë të ngurtë, do të kundërpërgjigjen duke iu përshtatur rrethanave të reja. Studiuesit në institutin RUSI, theksojnë se ukrainasit përdorin aktualisht 14 lloje të ndryshme artilerie, një situatë kjo e pamenaxhueshme.
Sugjerimi i tyre është të përdoren vetëm 4 lloje. Pra është e nevojshme që arsenali të bëhet homogjen, ashtu siç nuk mund të injorohet një zinxhir lokal i mirëmbajtjes/prodhimit, që duhet t’i mbijetojë sulmeve të vazhdueshme. Në fakt, jo më pak i rëndësishëm është krijimi i një mburoje të vërtetë kundërajrore dhe anti-raketore.
Kjo përfshin radarët, rrjetet e vëzhgimit, automjetet, dhe personelin për të pasur një sistem të integruar. Dhe nuk mjafton vendosja e baterive të artilerisë në të katërta anët e një vendi shumë të madh sa i përket sipërfaqes. Në raportin e institutit, thuhet se rezistenca ukrainase mund të fitojë.
Por do të ishte e gabuar që kjo të merret si të mirëqenë. Nuk ka dyshim se fati i luftës është i lidhur me vendosmërinë e Ukrainës. Por rëndësi këtu ka edhe vullneti i aleatëve të jashtëm. Ajo që sot është mbështetje, nesër mund të bëhet një “varësi”. Jo vetëm për armët, por edhe për energjinë elektrike dhe gjithçka tjetër. Për këtë mjafton të dëgjoni të dhënat që japin zyrtarët e Kievit për buxhetet, pagat, dëmet dhe rindërtimin e infrastrukturës./albeu.com