Presidenti Trump pranon ftesën e Mbretit Charles III, do zhvillojë vizitën e dytë shtetërore në Britani

Presidenti amerikan Donald Trump, ka pranuar zyrtarisht një ftesë nga Mbreti Charles III, për të marrë pjesë në një vizitë të dytë shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, së bashku me Mbretëreshën Camilla.

Lajmi është bërë i ditur nga Pallati Buckingham.

Vizita do të zhvillohet nga data 17 deri më 19 shtator, dhe Trump do të shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Melania Trump.

Kjo vizitë do të zhvillohet në Kështjellën Windsor, pasi Pallati Buckingham ndodhet ende në proces rinovimi.

Kjo do të jetë vizita e dytë shtetërore e Trump në Mbretërinë e Bashkuar, pasi në vitin 2019 ai ishte pritur nga Mbretëresha Elizabeth II gjatë mandatit të tij të parë si president.

Në mënyrë tradicionale, presidentët në mandatin e dytë nuk ftohen për vizita shtetërore, por për takime më të thjeshta si çaj ose drekë me monarkun.

Megjithatë, këtë herë është bërë një përjashtim.

Edhe pse ende nuk është publikuar një program i detajuar, vizita pritet të përfshijë ceremoninë e pritjes zyrtare dhe një banket shtetëror në Sallën e Shën Gjergjit në Kështjellën Windsor.

Në aktivitetet do të marrin pjesë të gjithë anëtarët e rëndësishëm të Familjes Mbretërore, përfshirë Princin dhe Princeshën e Uellsit.

Javën e kaluar, Mbreti Charles priti në të njëjtën rezidencë Presidentin francez Emmanuel Macron dhe bashkëshorten e tij, Brigitte, të cilët morën pjesë në një procesion me karroca nëpër qytetin e Windsor – një ngjarje e rrallë që nuk ishte parë prej më shumë se një dekade.

Duke qenë se çdo vizitë nga një president amerikan sjell sfida të shtuara sigurie, pritet që programi i Trump të mos përfshijë aktivitete të hapura për publikun.


Shtuar 14.07.2025 08:15