Presidenti Pendarovski: Na integroni në BE se po i afrohemi rekordit famëkeq të Turqisë

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ka deklaruar se Bashkimi Europian duhet të ndërmarrë sa më parë veprime për antarësimin e vendit.

Sipas tij mosmarrja e një date të saktë për negociatat, po e shndërron vendin në vend rekordmen, pasi po i afrohet Turqisë.

“Gjithnjë e më shumë anketat tregojnë se mbështetja për integrimin evropian po zvogëlohet, po zvogëlohet më shumë se mesatarja në Ballkanin Perëndimor ose thënë ndryshe, gjithnjë e më shumë qytetarë tanë janë pro njërës prej alternativave të mundshme të BE-së. Në përgjithësi, imazhi nuk është aq i errët dhe i keq. Ne jemi ende mirë në atë pjesë sepse kemi bërë kompromise mjaft të vështira për të cilat kemi paguar një çmim të lartë dhe pjesë e këtij çmimi është edhe mbështetja e reduktuar nga qytetarët që mendojnë se tashmë jemi thellë në negociata me BE-në. Ai çmim, nëse vazhdon bllokada, pres të rritet sepse këtë vit do të plotësojmë 17 vjet si vend kandidat për anëtarësim. “Ne po i afrohemi rekordit famëkeq të Turqisë, e cila ka negociuar me dekada dhe praktikisht është e ngrirë në negociata”, tha presidenti  Stevo Pendarovski në tryezën e sotme të rrumbullakët të ambasadorëve, me temë “Inkuadrimi i Ballkanit Perëndimor drejt BE-së: tregim i gjatë i (pa)përfunduar. Qëndrueshmëria e kursit të politikës së jashtme të Maqedonisë”, është shprehur Pendarovski./albeu.com/