Presidenti amerikan Joe Biden ka reaguar pas nisjes së luftës gjatë orëve të parë të mëngjesit të sotëm në Ukrainë.
Biden ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij ukrainas.
“Sapo kemi përfunduar bisedën tonë me Volodymyr Zelensky ”, tha Biden në një deklaratë për shtyp duke shtuar:
“Unë e dënoj këtë sulm të paprovokuar dhe të pajustifikuar nga ushtria ruse”, shtoi Biden.
Joe Biden theksoi gjithashtu se Volodymyr Zelensky i kishte kërkuar që t’u bënte thirrje “liderëve botërorë që të dënojnë pa mëdyshje sulmin flagrant të Presidentit Putin dhe të qëndrojnë pranë popullit të Ukrainës”.
Presidenti amerikan, i cili më herët njoftoi se do të flasë për “pasojat” e këtij operacioni për Rusinë gjatë ditës së sotme dhe do ta diskutojë sot edhe me homologët e tij të G7, ka thënë se do të vendosen sanksione më të ashpra se kurrë ndaj Moskës.
“Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje dhe ndihmë për Ukrainën dhe popullin ukrainas,” është shprehur Biden.
Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken dhe shefi i Pentagonit Lloyd Austin kanë biseduar gjithashtu me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe ” dënuan sulmin e paramenduar, të paprovokuar dhe të pajustifikuar “.
Rusia dhe Ukraina do të diskutojnë “përgjigjen e koordinuar” të Aleancës Atlantike, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Edward Price.
Ai shtoi se Sekretari amerikan i Shtetit dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s diskutuan gjithashtu “hapat e ardhshëm” për të ofruar “garanci për sigurinë e territorit të aleatëve” dhe “veçanërisht krahut lindor” të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut./albeu.com/