Në një mesazh të publikuar në rrjetet sociale, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e festës së Kurban Bajramit, ka përcjellë urimet e tij të përzemërta për të gjithë besimtarët myslimanë në vend dhe më gjerë.
Presidenti Begaj, e cilësoi Kurban Bajramin si një ditë të shenjtë për besimtarët, ku sakrifica dhe besimi në Zot marrin kuptim të thellë shpirtëror.
Më tej, ai theksoi se kjo festë është një dëshmi e vlerave të qëndrueshme njerëzore si durimi, dashuria dhe përkushtimi, të cilat sjellin paqe të brendshme dhe ndihmojnë në kapërcimin e ndjenjave negative si egoizmi, urrejtja dhe pangopësia.
Urimi i Presidentit Bajram Begaj:
“Kurban Bajrami është dita në të cilën besimtarët myslimanë afrohen më pranë Zotit, është festa e ngadhënjimit të sakrificës së sinqertë dhe besimit në Zot.
Kurban Bajrami është dëshmi e pashtershme sesi sakrifica, durimi dhe dashuria i japin njerëzve paqen e tyre të brendshme dhe mposhtin egoizmin, urrejtjen dhe pangopësinë.
Uroj nga zemra të gjithë besimtarët myslimanë dhe të gjithë shqiptarët për më shumë mirësi dhe gëzime në familjet e tyre!
Gëzuar Kurban Bajramin dhe qofshi në mbrojtjen e Zotit!”, shkruan Begaj në postimin në rrjetet sociale.
Kurban Bajrami, është një nga festat më të rëndësishme në kalendarin islam, e cila simbolizon bindjen ndaj Zotit dhe solidaritetin me më të varfrit.
Në këtë ditë, besimtarët myslimanë kudo në botë kryejnë rite fetare dhe ndajnë ushqim me të afërmit dhe komunitetin.